Zëvendëspresidentja e SHBA-së dhe ai i Tajvanit patën një bisedë të shkurtër të enjten në inaugurimin e presidentit të ri të Hondurasit, një takim i rrallë që është shumë simbolik, porse ka të ngjarë të shtojë tensionet e Pekinit me Uashingtonin.
SHBA-ja, si shumica e vendeve, nuk ka marrëdhënie zyrtare diplomatike me Tajvanin, megjithëse mbështetja e tij e fortë për ishullin, si politikisht ashtu edhe përmes shitjeve të armëve, është një nga burimet kryesore të fërkimit SHBA-Kinë.
Zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, tha se ajo foli me homologun e saj tajvanez, William Lai, në Honduras, rreth interesit të tyre të përbashkët në Amerikën Qendrore dhe për strategjinë e Qeverisë amerikane për të frenuar migracionin.
“Biseda e shkurtër që patëm ishte në të vërtetë rreth një interesi të përbashkët në këtë pjesë të rajonit dhe, me sa duket, ishte edhe interesi i Tajvanit në strategjinë tonë të gjetjes së rrënjës së shkaqeve” u tha ajo gazetarëve, duke shtuar se Lai i ishte afruar asaj.
Agjencia Qendrore e Lajmeve zyrtare e Tajvanit e karakterizoi atë si një “përshëndetje të thjeshtë”, duke thënë se të dy “biseduan shkurt dhe ndërvepruan natyrshëm”.
Aty shihet një foto e tyre duke qëndruar pranë njëri-tjetrit dhe duke folur, të dy me maska të vendosura në fytyrë, ku Lai kishte të veshur një sako me flamuj të ndërthurur të Tajvanit dhe të Hondurasit.
Hondurasi është një nga vetëm 14 vendet që e ka njohur zyrtarisht Tajvanin.
Presidentja e re e Hondurasit, Xiomara Castro, hodhi idenë e ndërrimit të Taipeit me Pekinin në fushatën e saj zgjedhore, megjithëse të mërkurën ajo i tha Lait se Hondurasi është mirënjohës për mbështetjen e Tajvanit dhe shpreson të ruajë marrëdhënien e tyre.
Castro dhe Lai u takuan përsëri të enjten, ku Lai dorëzoi një donacion furnizimesh për të luftuar pandeminë COVID-19.
“Unë e vlerësoj solidaritetin dhe gatishmërinë për të na mbështetur në agjendën tonë të zhvillimit”, shkroi ajo në një postim në Twitter.
Duke folur pas takimit të saj me Kastron, Harris tha se ata nuk diskutuan për Kinën.
Kina ka rritur presionin për të reduktuar gjurmët ndërkombëtare të Tajvanit, duke thënë se ishulli i qeverisur në mënyrë demokratike është territor kinez pa të drejtë për të ketë lidhje shtet-shtet.
Në prag të zgjedhjeve të nëntorit, një delegacion i SHBA qëndroi në Honduras dhe e bëri të qartë se dëshironte që ky vend i Amerikës Qendrore të ruante marrëdhëniet e tij me Tajvanin.
Kina muajin e kaluar rivendosi marrëdhëniet me Nikaraguan, një fqinj i Hondurasit, duke thënë hapur se po synon të zvogëlojë numrin e aleatëve diplomatikë të Tajvanit në zero.