Kryetari i Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, së bashku me Drejtorin e Arsimit Egzon Jashari, pasi kanë marrë lajmin se dyshohet për helmimin e disa nxënësve në Shkollën Teknike “Arkitekt Sinani”, menjëherë i kanë vizituar ata në Spitalin Rajonal “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.
Sipas njoftimit nga Komuna, nga personeli mjekësor, Bahtiri u njoftua rreth gjendjes shëndetësore të tyre, me ç’rast u konstatua se simptomat e tyre nuk tregonin për diçka shumë shqetësuese ku pas trajtimit mjekësor nxënësit janë liruar.
Me këtë rast, i pari i komunës i uroi nxënësve shërim sa më të shpejtë, derisa falënderoi stafin mjekësor për kujdesin ndaj tyre.
Më pas, Bahtiri bashkë me Jasharin dhe në prani të zyrtarëve të Policisë së Kosovës e kanë vizituar objektin e shkollës për të parë nga afër gjendjen faktike dhe mënyrën se si ka rrjedhur dyshimi mbi helmimin e nxënësve të kësaj shkolle.