Sinjali sonte raportoi se kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosjes në Viti, Bislim Bislimaj është arrestuar dje, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “dhunimi”. Ai dyshohet se ka dhunuar një të mitur e cila ishte raportuar e zhdukur më 4 nëntor dhe pasi është gjetur ka deklaruar se është dhunuar nga një burrë.
Arrestimin e tij e ka konfirmuar vet Bislimaj për Gazetën dhe ka dhënë rrëfimin e ngjarjes.
Ai e ka mohuar se ka ndodhur një gjë e tillë, duke e lidhur denoncimin e rastit me çështje politike.
“Jam arrestuar dje rreth orës 15:00 dhe më kanë dërguar në vendin e ngjarjes ku ka deklaruar ajo vajza se ka ndodh ky rast, në një shtëpizë që e kam unë në bjeshkë, ku ka edhe banues, punëtorë. Janë intervistu punëtorët. Unë kam deklaruar që skam lidhje me këtë punë. Ju thash që jam me prapavi politike. Kjo ka të bëjë me politikë. Nuk e di se çfarë ka ndodhur“, tha Bislimaj për Sinjalin.
Bislimaj tha se vajza ka deklaruar se është dhunuar nga ai, për shkak të babait të saj, i cili sipas tij po e manipulon vajzën. Kryetari i VV-së në Viti e ka akuzuar edhe LDK-në për këtë rast.
“Unë e njoh familjen e vajzës, tokën që e kanë ble e kanë ndërtu shtëpinë aty, unë ua kam shitë. Babai i vajzës më ka denoncu që mos me u pa unë anej, si i padëshirueshëm në Viti. Kam qëndru 24 orë në mbajtje, pas arrestimit. Më pas më kanë liruar, nuk kanë gjetur fakte. Ajo vajzë ka rrejtë, ai fmi ka rrejtë. Ajo vajzë nuk është hera e parë që ka dalë prej shpisë. Prindër që manipulojnë me fëmijë. Vajza ka deklaru ashtu për shkak të babës së vet. Edhe politikanët e kanë përkrah. LDK-ja e ka përkrah. Me një gur me vra dy zogj, edhe qëllimet e veta edhe politikë. Unë njihna me atë familje”, përfundoi ai.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.