Lidhja Demokratike e Kosovës, është partia që prej vdekjes së Ibrahim Rugovës nuk ka fituar asnjë palë zgjedhje. Megjithatë, kjo parti më së gjati ka pasur hise në pushtet. Plotë 14 vjet.
Në zgjedhjet e këtij muaji shihej si më favoritja për t’i fituar ato, për shkak të kandidimit të Vjosa Osmanit, për kryeministre. Por, as tash nuk doli e para. Atë e mundi Albin Kurti. Ecja e këtij subjekti nuk është e lavdishme gjithherë. Skandalet në qeverisje, dhe dhuna në kuvendet zgjedhore, janë pjesë e pandashme e këtij subjekti.
5 mijë vota më shumë se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), arriti t’i marr Lëvizja Vetëvendosje (VV), në komunën e Gjilanit që njihet si bastion i fuqishëm i kësaj të parës. E kjo nuk ishte komuna e vetme të cilën LDK e humbi në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën tetë ditë më parë, më 6 tetor në Republikën e Kosovës.
Edhe Vushtrrinë, e humbi LDK-ja. Bile këtë me rezultat edhe më të thellë, pasi që, qytetarët e komunës e cila udhëhiqet nga LDK-ja, këtë parti e qitën të tretën në këto zgjedhje, pas PDK-së e cila doli e dyta dhe VV-së e cila doli e para. LDK në Vushtrri mori vetëm 7 mijë e 443 vota, mbi 3 mijë më pak se VV.
Megjithatë, Lidhja Demokratike e Kosovës, në zgjedhjet e 6 tetorit që u mbajtën si pasojë e dorëheqjes së të parit të qeverisë, ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, pas ftesës që mori ai për në Hagë, doli e dyta në vend. Kjo parti e cila udhëhoqi me Kosovën që nga paslufta, pak vet e goxha shumë në koalicion me PDK-në, ishte në opozitë vetëm dy herë përgjatë 19-të vitesh.
Historia e LDK-së përfshirë ‘kuvendin e karrigeve’
LDK, u formua si bashkim i intelektualëve dhe popullit të Kosovës, në kohën e shpërbërjes së Lidhjes Komuniste të Kosovës, me kryetar Ibrahim Rugovën. Në zgjedhjet e vitit 2001 me ndërhyrje të UNMIK-ut, LDK me 48 % të votave të fituara kishte hyrë në koalicion të gjerë me PDK (26 %) dhe AAK (7%). Kjo qeveri e përfundoi mandatin në vitin 2004 kur pas zgjedhjeve formon koalicion qeveritar me AAK (për t’i dhënë AAK postin e kryeministrit) duke lënë PDK në opozitë. Asokohe LDK kishte 47 deputetë. Pas vdekjes së kryetarit Ibrahim Rugova (edhe president i Kosovës) në janar 2006, LDK-ja udhëhiqet nga Fatmir Sejdiu.
Në atë periudh ndodhë edhe skandali në zgjedhjet e brendshme të kësaj partie të njohur si ‘kuvendi i karrigeve’, ku një pjesë e saj ndahet dhe formon një parti të re politike, që reflektohet edhe me humbje të elektoratit. Pas ndarjes dhe zgjedhjeve të 2007, LDK me 25 deputetë hyn në koalicion me partinë e saj rivale PDK, koalicion ky që prishet pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut nga posti i Presidentit të Kosovës. Në Kuvendin e partisë që u mbajt në nëntor të vitit 2010, kryetar i LDK-së me shumicën e votave të delegatëve zgjidhet Isa Mustafa. Në zgjedhjet nacionale që pasuan në dhjetor 2010, LDK fiton 27 mandate deputetësh dhe për herë të parë kalon në opozitë.
Në vitin 2014, LDK me 30 deputetë, ndonëse vazhdimisht thuhej se kurrë nuk do të bëjnë një koalicion me PDK-në, ata sërish shkojnë në koalicion me ta, madje tradhtuan edhe ish-bllokun që u pati formuar nga partitë opozitare (që po ashtu thoshin që nuk duan koalicion me PDK) të njohur si VLAN. Por pas dy vitesh ‘qeveria e tradhtisë’, rrëzohet me një mocion mosbesimi. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, u cilësua si tradhtar edhe nga anëtarët e partisë së tij.
Ndonëse u rrëzua, “Qeveria Mustafa” në ditët e fundit të ushtrimit të pushtetit vazhdonte të marrë vendime. Kjo qeveri kishte zhvilluar mbledhjen e rregullt, të 145-n me radhë, në të cilën kishte miratuar vendime nga fusha e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Në zgjedhjet e 2017-së, LDK, mbetet në opozitë me 25 deputet. Ndërsa pas dy vitesh që bie qeveria Haradinaj, LDK, në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 del e dyta pas VV-së.
LDK-ja, përfundoi me grushte, shuplaka e karrige zgjedhjet e brendshme – pas kësaj hyri vrullshëm në garën e 6 tetorit
Edhe kjo si partitë tjera nisi fushatën para fushatës zyrtare që ishte paraparë të nisë më 25 shtator. Shumë premtime bënë ata para dhe gjatë fushatës, mirëpo nuk bindën qytetarët e Republikës së Kosovës, që në këto zgjedhje t’i nxjerrin të parët që nënkupton edhe fitues.
Lidhja Demokratike e Kosovës, kandidate për kryeministre kishte Vjosa Osmanin. Por, Osmanin e kaloi Albin Kurti, kandidat për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje.
VV fitoi zgjedhjet e 6 tetorit me 202 mijë e 968 vota apo 25.49 për qind ndërsa LDK u rendit e dyta me 197 mijë e 702 vota apo 24.84 për qind.
Ky rezultat nuk e bënë humbës LDK-në, thotë shefi i shtabit të LDK-së, njëherësh edhe kryetar i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, emri i të cilit është lakuar shumë herë që të jetë i pari i kësaj partie. Madje, në zgjedhjet e fundit të brendshme të LDK-së, ku kryetar u ri-zgjodh Isa Mustafa, pretendent kryesor që ta marr timonin e udhëheqjes së LDK-së, ka qenë Lufti Haziri. Mirëpo, ai nuk u kandidua.
Zgjedhjet e brendshme të LDK-së, ishin duke u zhvilluar në momentin kur dha dorëheqje Ramush Haradinaj. Partitë politike, nuk e mbajtën seancën për shpërbërje të kuvendit, derisa LDK, i përfundoi ato, të cilat u shoqëruan me grushte, shuplaka e karrige në disa nëndegë të saj. E prej këtyre telasheve nuk shpëtoi as ‘Gjilani i Lutes’. Ishte Përlepnica nëndega që u përcjell me hallakamë në zgjedhjet e LDK-së në këtë komunë.
Ndërsa, Haziri, ndonëse nuk u zgjodh kryetar i përgjithshëm i LDK-së, ai u ri-zgjodh kryetar i saj në Gjilan.
Në një intervistë për Gazetën Insajderi, ai ka thënë që opozita në Kosovë ka fituar dhe pjesë e kësaj fitore është edhe LDK-ja. Sipas tij, 0.63% të daljes së VV-së para LDK-së,është rezultat që e ka konfirmuar qytetari i Kosovës, teksa thekson se kjo është fitore e opozitës në të cilën LDK-ja është fituese.
“Për vendin e kryeministrit sovrani e ka vendos që t’ia jep një kandidati tjetër jashtë LDK-së, nëse konfirmohet dhe certifikohen rezultatet me ditën e sotme ose ky rezultat që është sot konfirmohet nga ana e KQZ-së. Natyrisht që LDK-ja ka hy e mobilizuar, e organizuar në këtë proces zgjedhor por shpresoj shumë që mundësia që ne u kemi ofruar qytetarëve e ka këtë vlerësim”, ka thënë Haziri, komuna të cilën e udhëheqë ai, nuk i besoi partisë së tij por asaj të Albin Kurtit.
LDK me kandidat për kryetar të komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në vitin 2017-të, arriti ta mund VV-në me rezultat të thellë. Por jo njëjtë ka ndodhur me 6 tetor. Lidhja Demokratike e Kosovës, doli e dyta në këtë komunë, duke u mposhtur thellë nga VV. Ngjashëm ndodhi edhe në Vushtrri.
Në lidhje me humbjen e këtyre dy komunave siç janë Gjilani dhe Vushtrria, Lutfi Haziri, ka thënë që nuk janë të humbura sepse kjo është votë politike. Ai ka thënë se në zgjedhjet lokale në Komunën e Gjilanit, LDK-ja del gjithmonë fituese, sepse është bastion i tyre. Edhe pse, thotë që si parti kanë mundur të bëjnë më shumë në Gjilan.
“Unë besoj që në Gjilan ka pas mundësi të bëhet më shumë por sa i përket republikës, ka qenë një garë e titanëve në të cilën Vjosa Osmani, nëçdo mënyrë e ka fituar. 063% më pak se VV nuk e bënë në asnjë mënyrë rolin e saj të fuqishëm në zgjedhje,sekondare”, është shprehur ai, për qytetin në të cilin kandidatja për kryeministre nga LDK, është nuse.
Për komunën e Vushtrrisë, Haziri, pati një përgjigje të shkurtër duke mos dashur ta komentojë më shumë.
“Sa i përket Vushtrrisë ne nuk kemi qenë partia e parë atje, ka qenë PDK-ja atje partia e parë dhe ne ia kemi marrë atë”, tha shefi i shtabit të LDK-së.
Por, nuk janë vetëm këto dy komuna që LDK, i ka humbur. LDK, që në zgjedhjet lokale të vitit 2013-të, e ka humbur edhe Komunën e Prishtinës. Ishte Vetëvendosje, ajo që ia mori këtë bastion LDK-së, duke e përballë kryetarin e kësaj partie me ish-anëtarin e Vetëvendosjes Shpend Ahmetin. VV, mori edhe një mandat në Prishtinë me Ahmetin. Por, më pas Ahmeti u nda nga Vetëvendosje dhe ky mandat për qeverisje me kryeqytetin i takon PSD-së.
Ndonëse as në këto zgjedhje LDK, nuk dëshmoi fuqinë që kishte disa vite më parë në Prishtinë, Lutfi Haziri, u shpreh shumë optimist që do ta rikthejnë kryeqytetin.
“Në zgjedhjet lokale do ta rikthejmë Prishtinën definitivisht, po ashtu edhe Gjilani, Ferizajn, Prizreni e shumë qytete të tjera, të jeni të sigurt. Kjo votë për ndryshim ka arrit me i bind njerëzit në këtë proces politik kështu. Por në zgjedhjet lokale lidhja organike është krejt ndryshe me pushtetin lokal”, tha ndër të tjera Haziri.
E si parti e dytë që është LDK-ja, është e vetmja parti me të cilën Albin Kurti i VV-së, ka thënë që do të bëjë koalicion. Madje i pari i VV-së, ishte mjaft i interesuar edhe për një koalicion parazgjedhor ku i premtonte LDK-së, se së bashku do të kenë 70 deputet. Por, LDK para 1 muajsh nuk pranoi të bëjë koalicion parazgjedhor me këtë parti. Ndërsa tani, janë të hapur të formojnë koalicionin. E takimi i parë për koalicion paszgjedhor, ndodhi më 10 tetor.
Takimi u zhvillua ndërmjet Kurtit, Mustafës dhe Osmanit. Por para medieve dolën vetëm kandidatët për kryeministër nga të dy partitë. Ishin Albin Kurti dhe Vjosa Osmani që iu drejtuan qytetarëve duke thënë se janë marrë vesh për bashkëqeverisje.
LDK, ndryshe para një muaji, tash është e gatshme ta jap pozitën e kryeministrit
Sipas Lutfi Hazirit, LDK-ja ose do të hyjë në koalicion me Vetëvendosjen ose do të rrinë në opozitë.
“Parimisht ne kemi vendosur standardin, ai që i fiton zgjedhjet e merr kryeministrin. Këtu nuk ka asnjë lloj dyshimi. LDK-ja ose hynë në koalicion me Vetëvendosjen ose rrinë në opozitë. Ne nuk kemi opsion tjetër, partitë tjera janë të përjashtuar nga mundësia dhe ne e vlerësojmë dhe e përshëndesim rezultatin, e po ashtu edhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës sepse ata kanë folur përkundër rezultatit shumë të ngushtë LDK-ja dhe VV-ja janë parti që e kanë marrë mbështetjen e 60% të popullatës së Kosovës”, pohoi Haziri, i cili tha se është e qartë se besimi te këto dy parti është konfirmuar dhe e respektojmë rezultatin.
Shefi i shtabit të LDK-së, po ashtu nuk la pa përmendur edhe ata që sipas tij, po mundohen të bëjnë hile dhe të gjejnë arsye për ta spërkatur këtë proces politik.
“Janë thirrje për me shkaktu përqamje edhe thirrje për me gjet vetën në garën e pështymës në të cilën LDK-ja nuk merr pjesë”, përfundoi Haziri për Gazetën Insajderi./ Insajderi.com