Ish-kryeministri Isa Mustafa e ka cilësuar situatën në veri të Kosovës si tepër të rrezikshme. Mustafa në një përgjigje për Express ka kritikuar mosprezencën në Kosovë të tre liderëve kryesorë të institucioneve kur situata në veri është e paqëndrueshme. Ai u shpreh se në momente të tilla presidentja e vendit duhet të thërrasë Këshillin e Sigurisë dhe të ndërmerren masa duke u koordinuar me ShBA-të, BE-në dhe KFOR-in.
Lidhur me situatën në veri të vendit, ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se është e pafalshme që Presidetja, Kryeministri e kryekuvendari gjenden jashtë Kosovës.
“Situata në veri të Kosovës është tepër serioze dhe e rrezikshme. Në një situatë të tillë Presidentja, Kryeministri dhe Kryeparlamentari duhet të jenë në Kosovë. Nuk mund të dërgojmë mesazhe njëra nga New Yorku, tjetri nga Shkupi e nga Budapesti, kurse njësitë speciale të mbesin të mbërthyera në Jarinje e Bërnjak nën kërcënimin e helikopterëve, avionëve e tankave të Serbisë. Kjo është joserioze dhe e pafalshme”, ka thënë Mustafa për Express të shtunën.
Mustafa u shpreh se në situatën e krijuar duhet të thirret Këshilli i Sigurisë.
“Në momente të tilla duhet thirret Këshilli i Sigurisë nga Presidentja e vendit dhe të ndërmerren masat e nevojshme duke u kordinuar me parnerët, SHBA dhe EU, KFOR-in dhe institucionet në Kosovë”, tha ai.
Sipas disa video-incizimeve të publikuara sot, në afërsi të kufirit, në Jarinjë, Serbia po e vëzhgon situatën edhe me aeroplanë luftarakë.
Ndërkaq për djegien e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok, kanë reaguar ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, e ka quajtur akt kriminal me elemente terroriste, ndërsa kryeministri Kurti ka thënë se Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar.