Thirrjes për kujdes në emërimin e noterëve të rinj nga Qeveria në largim e Republikës së Kosovës i është bashkuar edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt.
“BE nxjerr një deklaratë duke paralajmëruar emërimin e nxituar të noterëve, e ndjekur nga deklarata e ministrit të Drejtësisë duke thënë se ai do të vazhdojë me këtë gjithsesi. Unë rekomandoj fuqimisht që shqetësimet e shprehura të merren seriozisht. Njerëzit këtu nuk shërbehen nëse aktet noteriale nuk njihen jashtë vendit”, ka shkruar Heldt në Twitter.
Ndryshe, Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ka lëshuar një deklaratë për media, ku ka theksuar se procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të rregullt the të ligjshëm të noterëve është thelbësor për të nxitur besimin që shoqëria i jep individëve që luajnë këtë rol të përgjegjshëm.
“Ky proces duhet të jetë i lirë nga çdo pretendim i parregullsisë, i vërtetë ose i perceptuar”, thuhet në deklaratën e Zyrës së BE-së, transmeton Telegrafi.
Më tej në deklaratë thuhet se “ne u bëjmë thirrje autoriteteve në largim të Kosovës që të përmbahen nga emërimet e ndonjë noteri pasi besojmë fuqimisht se vendimi në këtë drejtim duhet t’i lihet qeverisë së re”.
Pas kësaj, ministri Drejtësisë, Abelard Tahiri sot ka deklaruar se emërimi i noterëve të rinj do të marrë epilog legjitim në harmoni të plotë me ligjin dhe në partneritet të plotë me Oden e Noterëve të Republikës së Kosovës.
Përballë ftesës së Zyrës së Bashkimit Evropian për pezullimin e emërimit të noterëve të rinj, ai këmbëngul se emërimi i noterëve të rinj, mbi formulën që është paraparë si e domosdoshme dhe emergjente për të përmbushur nevojat e qytetarëve, veçmas komuniteteve jo shumicë, është tërësisht legjitim dhe duhet të ndodhë. /Telegrafi/