Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, është shprehur i befasuar me gatishmërinë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të vazhduar dialogun.
Në një njoftim të kësaj zyre, thuhet se si “po mendon Kurti të dialogojë kur në veri i ka dërguar pushkët e gjata”.
“Si po mendon Kurti të bisedojë derisa drejt popullatës civile ka drejtuar pushkët e gjata, mjetet e blinduara, snajperët dhe gazin lojtsjellës”, ka thënë Petkoviq, përcjell zyra që drejton.
Sipas tij, fajtori kryesor për destabilizim të vendit është Kurti. Ai tha se Kurti po dëshiron të rrënojë stabilitetin e arritur me shumë mund.
“Kompromiset mund të arrihen në bisedime, por jo me politikë agresore e dhunuese të Prishtinës, këtë le ta ketë të qartë çdokush”, tha ai.
Me vendim të Qeverisë së Kosovës për masë reciprociteti, veturat me targa të Serbisë kur futen në Kosovë duhet të marrin targa të përkohshme RKS, njësojë siç vepron edhe Serbia me veturat me targa RKS, tash e shumë vjet.
Kurti gjatë një konference për media sot, tha se ka pranuar ftesën e Brukselit për dialog, por se këtë e ka refuzuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Ne jemi të gatshëm për takime e bisedime për këtë çështje. E ka kërkuar edhe Josep Borell dhe Miroslav Lajçak, kanë kërkuar nga ne gatishmëri për t’u takuar në Bruksel. Unë dhe zëvendësi im Bislimi kemi shprehur gatishmërinë për këtë gjë, mirëpo pasi që kane marrë dakododimin tonë, ata kane marrë refuzimin nga Beogradi”, tha Kurti.