Në qoftë se nuk do të ketë një marrëveshje tjetër ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë dhe vendimi i Qeverisë së Kosovës për masë reciprociteti për targat e veturave të regjistruara në Serbi do të mbetet në fuqi, atëherë qytetarëve që kanë vetura me targa të tilla nuk u mbetet tjetër përveç se ta respektojnë këtë masë, thonë disa qytetarë serbë të Kosovës.
Autoritetet në Kosovë më 20 shtator nisën aplikimin e masës së reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia. Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës. Të gjithë shoferët që qarkullojnë me automjete me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë pesë euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.
Vendosjen e kësaj mase nga Qeveria e Kosovës, njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë dhe Serbi, Artan Muhaxhiri dhe Dushan Janjiq e shohin si një hap që çon drejt masave tjera reciproke që Kosova mund të vendosë ndaj Serbisë.
Qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë dhe të cilët kanë automjete me targa të Serbisë, vlerësojnë se do të jenë të detyruar që të zbatojnë masën e Qeverisë së Kosovës për targat e Serbisë.
Millosh Saviq nga Mitrovica e Veriut thotë që qytetarët serbë edhe më herët kanë qenë të detyruar që të zbatojnë vendime të autoriteteve të Kosovës dhe mund të ndodhë edhe tash. Ngjashëm, sipas tij, ata kanë qenë të detyruar të marrin edhe dokumentet e identifikimit të Kosovës.
“Në të njëjtën mënyrë, për shkak të nevojës së skajshme, do të merrja edhe targat e Kosovës. Por, po shpresoj që nuk do të vijë puna deri aty”, thotë Saviq.
Dragan Martinoviq nga Graçanica thotë se nuk e ka problem që t’i përmbahet vendimit të autoriteteve të Kosovës, për shkak se ka dy palë targa për automjetin e tij.
“I kam targat e Kosovës dhe të Serbisë. Kështu që nuk di se si do t’ia bëj. Por, aty ku shkon shumica do të shkoj edhe unë”, thotë ai.
Një qytetar tjetër serb, i cili u prezantua me emrin Gjorgje, thotë se të premten e javës së kaluar ka hyrë në Kosovë me automjetin që ka targa të Serbisë, por edhe pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat, nuk ka pasur ndonjë problem gjatë qarkullimit në Graçanicë, komunë kjo me shumicë serbe në afërsi të Prishtinës. Megjithatë, ai shprehet se në të ardhmen kur të hyjë në Kosovë nga Serbia, mund të ketë probleme.
“Do të më duhet ta respektoj vendimin. Do të paguaj (për targat e përkohshme), çfarë të bëj tjetër. Nuk mund t’i ndërroj targat. Nuk kam dokumente që do të ma mundësonin këtë”, thotë Gjorgje.
Socialogu dhe njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Artan Muhaxhiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se vendimi Qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit për targat e Serbisë është vetëm një hap i parë që do të pasohet edhe me masa të tjera të reciprocitetit.
“Po, sepse edhe kryeministri Kurti e ka paralajmëruar një gjë të tillë. Një pjesë e premtimeve në zgjedhjet e 14 shkurtit, të cilat i ka fituar bindshëm, ka qenë reciprociteti me Serbinë. Ai e ka obligim edhe para votuesve të tij që ta bëjë një gjë të tillë. Mirëpo, në asnjë mënyrë nuk guxon që cilado qoftë formë e reciprocitetit me Serbinë, t’i dëmtojë marrëdhëniet me aleatët tanë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian”, thotë Muhaxhiri.
Ai shton se Qeveria e Kosovës, në rast se vazhdon me masa të tjera të reciprocitetit ndaj Serbisë, do të duhej të jetë e kujdesshme që këto masa të jenë vetëm në funksion të zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri më tash në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit të targave me Serbinë, para së gjithash është paralajmërim i zbatimit të politikës së reciprocitetit.
“Shkasi është i mjaftueshëm që ta arsyetojë këtë, sepse vërtetë bëhet fjalë për mosrespektim të Marrëveshjes së Brukselit nga ana e Serbisë kur bëhet fjalë për tabelat ‘RKS’ (të Kosovës). Unë mendoj që ky është shkas i pakontestueshëm, por pas gjithë kësaj është e dukshme që ekziston një mosbesim i thellë dhe kjo është pikëpyetje e madhe qoftë për Kosovën, për Serbinë, por edhe për Bashkimin Evropian sesa politika e reciprocitetit ka pika të përbashkëta me politikën e normalizimit të marrëdhënieve. Unë jam i bindur që nuk ka”, thekson Janjiq.
Ai shton se Kosova dhe Serbia, duhet pasur kujdes që masat e tilla të mos i emëronin si reciprocitet, për shkak se siç thotë ai, politika e reciprocitetit në Evropën e shekullit të kaluar ka sjellë dy luftëra botërore. Sipas tij, politikat e reciprocitetit janë mjaft të rrezikshme dhe nuk u takojnë vlerave të sotme evropiane.
Reagime dhe tensione
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Zyrës së Kryeministrit të Kosovës për të mësuar nëse vendimi për masën e reciprocitetit me Serbinë për targat, do të pasohet me vendime për masa të tjera të reciprocitetit. Deri në publikimin e këtij teksti, kjo zyrë nuk ka kthyer përgjigje.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, më 20 shtator, ditën kur edhe filloi të zbatohet vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat e Serbisë, kryeministri Albin Kurti para deputetëve ka arsyetuar këtë vendim. Ai duke mbajtur në duar pamjet sesi duken targat e përkohshme të Kosovës për automjetet e Serbisë me të cilat do të mund të qarkullojnë në Kosovë, por edhe targat e përkohshme të Serbisë për automjetet me targa të Kosovës që qarkullojnë në Serbi, tha se këto të fundit aplikohen tash dhjetë vjet.
“Këto janë tabelat tona që janë të përkohshme për ata që vijnë me tabela të tjera. Ndërkaq ka dhjetë vjet që qytetarët tanë paguajnë për këto tabelat që janë poshtë (tabelat ‘prova’ të Serbisë). Ne nuk i duam as këto dhe as ato. Mirëpo përderisa do të ketë këso (të Serbisë) do të ketë edhe këso (të Kosovës)”, ka thënë Kurti.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, më 20 shtator, duke reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat, ka thënë që shpreson që autoriteteve të Serbisë nuk do t’iu duhet të marrin masa, “si ekonomike ashtu edhe politike, sepse kjo nuk do të ishte mirë për të gjithë rajonin” dhe veçanërisht për marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën.
Së fundmi, më 21 shtator, Vuçiq ka thënë se Kosova duhet të ndryshojë vendimet e saja “të këqija” ose në të kundërtën, shteti i tij do të ndërmarrë masa, pa specifikuar se për çfarë masash bëhet fjalë. Ai gjithashtu ka kërkuar që autoritetet e Kosovës të tërheqin trupat, siç ka thënë ai, “që pushtuan” veriun e Kosovës.
Marrëveshja e Brukselit për targat
Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në vitin 2011, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Në vitin 2016, po ashtu ishte arritur pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel që automjetet me targa ‘KS’ të vazhdonin të jenë në qarkullim edhe për një afat prej pesë vjetësh, pra deri në shtator të vitit 2021.
Po ashtu në marrëveshjen e këtij viti, ishte arritur pajtimi që me etiketa apo letra ngjitëse, të mbulohen pjesët relevante të targave, siç janë simbolet dhe akronimet e shteteve përkatëse, gjatë qarkullimit në territorin e njëra-tjetrës.
Por, kur qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe ata serbë, kanë automjete me targa ‘RKS’, ata i nënshtrohen procedurave në vendkalimet kufitare në Serbi, për t’i hequr këto targa dhe për t’i vendosur targat “Prova” që i lëshojnë autoritetet serbe.
Dialogu drejt dështimit?
Artan Muhaxhiri shpreh mendimin se çfarëdo që të jenë veprimet e mëtejme të Qeverisë së Kosovës, sidomos për masat ndaj Serbisë, duhet të jenë të kujdesshme dhe të koordinuara me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë.
“Kryeministri Kurti, çdo hap të tij në idenë e tij për reciprocitet, duhet ta ketë të bazuar në Marrëveshjen e Brukselit. Nuk guxon të marrë vendime arbitrare, vendime të cilat shkojnë përtej marrëveshjeve në Bruksel, sepse në atë rast do të jenë të dëmshme të Kosovës dhe do të krijojnë bllokada, sikurse që i kemi parë në vitet e kaluara. Reciprociteti me Serbinë ka kuptim vetëm nëse është i harmonizuar me aleatët tanë, me SHBA-në dhe BE-në dhe që nuk krijon pasoja të mëdha për imazhin politik të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe as në raport me procesin e integrimeve në BE”, u shpreh Muhaxhiri.
Dushan Janjiq e sheh situatën si mjaft të tensionuar, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat, por edhe reagimeve të autoriteteve të Serbisë. Por, sipas tij, qasjet që kanë aktualisht autoritetet e të dyja vendeve, Kosovës dhe Serbisë, mund të sjellin në prag të konfliktit.
“Thjesht, jemi kthyer në vitin 2011, gjë që konsideroj që është humbje për të dy politikanët (Kurti dhe Vuçiq), por edhe humbje për (përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav) Lajçakun dhe BE-në. Kjo është pasqyrë e keqe për dialogun. Këtë lloj të dialogut, të cilin e ka ndërmjetësuar dikur (Federica) Mogherini dhe tash e ndërmjetëson Lajçak, duhet sa më shpejt ta harrojmë. Besoj se mënyra më e mirë është që Amerika të përfshihet në proces, ta ndryshojë formatin e dialogut dhe në veçanti të sigurohet përgjegjësia e të dyja palëve për ato që nënshkruajnë”, thotë Janjiq.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u kanë bërë thirrje autoriteteve të Kosovës dhe të Serbisë që të dyja palët të ndërmarrin masa, në mënyrë që të ulen tensionet “menjëherë dhe pa vonesë”.