Gjykata ka vendosur t’i caktojë mbrojtës sipas detyrës zyrtare të akuzuarës, A.A se ka ngacmuar profesorin e saj, B.B duke i shkuar edhe në shtëpi e duke i kërkuar lidhje dashurie.
Këtë aktvendim gjyqtari i Gjykatës Themelore të Prizrenit, dega Suharekë, Lavdim Bajraktari e ka marrë pas propozimit të prokurorit Fatos Ajvazi, i cili ka thënë se është në interes të drejtësisë t’i caktohet mbrojtësi të akuzuarës marrë parasysh gjendjen e saj emocionale, ekonomike dhe intelektuale.
Gjyqtari Bajraktari seancën e sotme e ka ndërprerë dhe të radhës e ka caktuar më 14 tetor 2021 në ora 9:00, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë seancë kanë qenë prezent e pandehura A.A, prokurori Fatos Ajvazi, i dëmtuari B.B dhe mbrojtësi i tij avokati Ruzhdi Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren e pandehura A/A nga dhjetori i vitit 2018 e në vazhdimësi deri më 5 gusht 2020, në vende të ndryshme ka ngacmuar ish-profesorin e saj.
Madje, në aktakuzë, thuhet se e pandehura i ka shkuar edhe në shtëpi të dëmtuarit duke i kërkuar lidhje dashurie.
Tutje në aktakuzë thuhet se e pandehura e ka ndaluar edhe në rrugë të dëmtuarin, duke tentuar ta përqafojë përkundër kundërshtimit të të dëmtuarit.,
Me këto veprime e pandehura A.A, të dëmtuarit B.B, i shkakton shqetësim të madh emocional. Andaj, me këto veprime, akuzohet se ka kryer veprën penale “ngacmimi” nga neni 182 paragrafi 1 i Kodit Penal, ku dënimi parashihet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.