Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas kërcënimeve të deputetit të Vetëvendosjes, Haki Abazi ndaj mediumit Albanian Post dhe drejtorit të saj, Baton Haxhiu.
“AGK është thellësisht i shqetësuar për kërcënimin që deputeti i partisë politike në pushtet, Vetëvendosje, Haki Abazi ka bërë ndaj mediumit ‘Albanian Post’, dhe drejtorit të tij, Baton Haxhiu.
“Albanian Post” e ka publikuar audio-incizimin në të cilin Abazi dëgjohet duke kërcënuar mediumin për shkak të raportimit të mëhershëm për dështimin e procesit për emërimin e ambasadorëve të rinj të Kosovës”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Sipas këtij asocacioni kërcënimi i hapur e me paramendim i deputetit ndaj gazetarëve është i papranueshëm dhe kontribuon në rrezikimin e sigurisë për kolegët tanë.
“Veprimi bëhet edhe më serioz për faktin që vjen nga një zyrtar i lartë i partisë që udhëheq me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës. AGK-ja e fton partinë e Abazit, sikurse edhe institucionet shtetërore të distancohen qartë nga gjuha kërcënuese e deputetit”, thuhet në reagimin e shoqatës së gazetarëve.