Në mbledhjen elektronike të mbajtur dje, Qeveria e Kosovës themeloi Komitetin për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19, i cili do të udhëhiqet nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Anëtarë të këtij komiteti u vendos që të jenë përfaqësues nga presidenca, të gjitha ministrisë, IKShPK, ShSKUK, AVUK, AKI, Policia, Zyra e Prokurorit të Shtetit, Këshilli për Siguri, Inspektorati i Tregut dhe Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, mirëpo, jo edhe nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.
Ky vendim i qeverisë nxiti reagimin e AKK-së dhe të komunave të vendit, shumica e kryetarëve të të cilave refuzuan ftesën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për takimin e sotëm në qeveri.
Mirëpo, pas këtij reagimi, AKK ka marrë premtimin e ministrit Vitia se asociacioni do të rikthehet në Komitetin për pandeminë.
Kështu kanë bërë të ditur për Gazetën Sinjali nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.
“Pas reagimit të AKK-së, ministri Arben Vitia thotë që AKK do të riktheht në komitetin antiCOVID-19. Në takimin e radhës së qeverisë, lista do të përditësohet dhe AKK do të jetë pjesë e këtij mekanizmi”, thuhet në përgjigjen e AKK-së.