Disa qindra metra larg qendrës së Prishtinës, në Infektivë, bëhet jetë krejt tjetër. Është luftë. Pacientët e infektuar luftojnë për të marrë frymë e për të mbijetuar. Familjarët për t’i dalë në ndihmë të afërmve të tyre.
Mjekët kanë një vit e gjysmë që janë në këtë betejë, pa ndalur edhe kur të tjerët janë çliruar pak më shumë. Shtretër të lirë më nuk ka. Ndërsa numri i pacientëve që po vdesin, po rritet. Shumica shohin vetëm shifrat e çdoditshme të viktimave dhe të infektuarve. Në Infektivë sheh më shumë se kaq.
E mbushur me pacientë, por nuk dëgjohet as edhe një zë në korridoret e Klinikës Infektive. Gati se të gjithë janë të lidhur për aparatet e frymëmarrjes, e disa të tjerë të lidhur në aparate tjera, të pavetëdijshëm e të lodhur.
Pacientë që po barten për në klinikë, e pacientë që po dalin nga ajo, për të mos u kthyer më në shtëpitë e tyre.
Familjarë të frikësuar që presin të kalojë çdo minut, orë e ditë e ta mposhtin së bashku këtë virus.
Të gjithë të lodhur e të frikësuar.
Infektiva është e mbushur me pacientë. Nuk ka më as edhe një vend të lirë, as edhe një shtrat të lirë, përkundër rasteve të rënda që po kërkojnë hospitalizim në të.
Disa familjarë kanë marrë batanije, rroba mbrojtëse e gjësende të tjera dhe po qëndrojnë në dhomë me pacientët, gjendja e të cilëve është më e rëndë.
Janë në rrezik direkt nga virusi, por po qëndrojnë në dhomë me të infektuarit për shkak se ata kanë nevojë për terapi e kujdes të vazhdueshëm.
Punëtorët shëndetësorë janë të paktë në numër. Ata, për një vit e gjysmë kanë luftuar pa ndalur, edhe kur ne të tjerët jemi çliruar pak më shumë.
Bashkë me pacientët, të lodhur shprehen edhe ata të cilët që më shumë se një vit janë në vijën e parë të frontit duke u ballafaquar me pandeminë.
“Po duket si gjendje lufte”.
Kështu shprehet një nga infermieret e kësaj klinike, e cila po ashtu shihet e lodhur nga kjo gjendje, por që nuk ndalon së kujdesuri për pacientët.
Ndërsa, në secilën dhomë të kësaj klinike janë të shtrirë pacientë të moshave të ndryshme. Virusi nuk i ka kursyer as të rinjë.
Zëvendësdrejtori i Klinikës Infektive, Veli Rexha ka treguar për Express se tashmë që një javë i kanë të mbushura të gjitha kapacitetet në klinikë, ndërsa është shprehur se gjendja e disa pacientëve është e rëndë.
Ai ka thënë se sot në mëngjes i kanë pasur 120 pacientë të shtrirë në klinikë dhe se nuk kanë më vende të lira për pacientë tjerë.
“Klinika Infektive është shndërruar në klinikë COVID dhe vetëm pacientët që janë me COVID trajtohen në klinikë, asnjë pacientë tjetër nuk kontrollohet. Sot në mëngjes i kemi pas 120 pacientë. Kapacitetin e kemi të plotë, për momentin nuk kemi vende të lira në Klinikën Infektive, po i dërgojmë pacientët në Mjekësinë Sportive dhe në Interno. Gjendja e pacientëve është e rëndë, shumica janë me oksigjeno-terapi”, ka theksuar ai.
Rexha ka treguar se në klinikë kanë të shtrirë edhe pacientë të vaksinuar, megjithëse gjendja e tyre shëndetësore është më e mirë.
“Kemi edhe pacientë të vaksinuar, diku 18 sipas të dhënave të ditës së premte. Pacientët që janë të vaksinuar janë në gjendje klinike më të mirë se pacientët që janë të pavaksinuar. Ka edhe me dy doza, por ata nuk e kanë kaluar COVID’in më herët por gjendja klinike është më e mirë se e atyre që janë të pavaksinuar. Diku mbi një javë kemi pasur kapacitetin e plotë, çdo ditë kemi pasur shumë pacientë”, ka thënë ai.
Përndryshe, sa i përket familjarëve që po lejohen që të qëndrojnë me pacientët në klinikë, ai ka thënë se gjithçka varet nga gjendja shëndetësore e pacientëve dhe nëse ata kanë nevojë për të marrë terapi, përndryshe sipas tij nuk lejohen mbikëqyrësit.
Në një gjendje më të mirë shëndetësore janë pacientët më të moshuar të cilët janë të vaksinuar kundër COVID-19.
Një 69 vjeçar i cili kishte shkuar për t’u kontrolluar në këtë klinikë pasi para dy jave kishte rezultuar pozitiv me koronavirus, ka treguar për Express se ai nuk ka pasur nevojë as për t’u hospitalizuar.
Ai është vaksinuar me dy doza dhe thotë se gjendja shëndetësore e tij ka qenë shumë e mirë dhe se as që e ka vërejtur se ka qenë i infektuar me virus.
“Unë jam vaksinuar me dy doza të vaksinës. Para dy jave jam infektuar me virus. Nuk e kam ditë. Kur e kam bo testim më kanë thënë je pozitiv. Unë jam shumë mirë”, ka treguar ai.
Edhe klinikat tjera e spitalet e përgjithshme tashmë janë mbushur me pacientë të infektuar me COVID-19.
60 pacientë janë në kujdesin intensiv.