Policia në Lushnje ka goditur një grup që kryente vjedhje të parave dhe sendeve me vlerë në banesa dhe biznese. Me finalizimin e operacionit të koduar “Trio” u vunë në pranga Niko Zaimi, 36 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje, Erion Kondi, 40 vjeç dhe Klaudjo Myrtja, 27 vjeç, të tre banues në Fier.
Tre personat e vënë në pranga, në bashkëpunim me njëri tjetrin, gjatë orëve të para të mëngjesit në lagjen “Kadri Qystri” kanë vjedhur biznesin në pronësi të D. Sh., në lagjen “Loni Dhamo” kanë vjedhur banesën e N. K. dhe në lagjen “Kadri Qystri” kanë tentuar të vjedhin biznesin në pronësi të shtetasit A. S
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se gjatë muajit maj dhe gusht, Kondi, Murtja dhe Zaimi kanë vjedhur sende me vlerë, shuma parash dhe orendi shtëpiake në 3 banesa. Konkretisht në datën 11.05.2021 kanë vjedhur banesën e J. P., në datë 10.08.2021 kanë vjedhur banesën e shtetasit E. E., dhe në datë 12.08.2021 kanë vjedhur banesën e shtetasit A. H.
Gjatë operacionit, Policia ka bërë sekuestrimin e shumës prej 3830 euro, 40 paund, 125.200 lekë të rinj, disa bizhuteri, 3 aparate celularë, paisje që përdoreshin nga autorët për të kryer vjedhjet si dhe automjeti i cili gjithashtu përdorej nga këta shtetas për të kryer vjedhjet