Ra ky mort e u pamë
20 Prill, 1999
Televizioni austriak më kërkon një mendim për qëndrimin e Peter Handkes. Në Austri dhe në Gjermani ka fushatë të ashpër kundër tij. Ai qëndrim, ç’është e vërteta, më shumë se zemërim, më ka shkaktuar brengë. Siç ndodh me njerëzit që i njeh. Siç ndodh me sjelljet që ndryjnë brenda një mister.
Shkrimtari më i njohur i Austrisë. Me nënë sllovene. Frankofon. Prej vitesh, duke qenë këshilltar pranë shtëpisë botuese austriake “Residennz Verlag”, është ai që ka propozuar librat e mi për përkthim, shkruan Kult Plus, transmeton Klan Kosova.
E kam njohur para ca vitesh në Paris. Ambasadoja e Austrisë në Francë na ftoi për darkë të dyve, bashkë me gratë. Gruaja e tij franceze është e admirueshme.
Nuk e gjej dot ç’grerëz e ka pickuar. Gjithë ai tërbim kundër shkrimtarëve boshnjakë, gjithë ai zell për të mbrojtur krimet serbe në Bosnjë e pastaj në Kosovë.
Një shkrimtar kroat përpiqet ta shpjegojë me zanafillë frojdiste. Nuk më besohet.
Ndërkaq, nga darka në ambasadën austriake më kujtohet një frazë e tij. Një frazë disi e veçantë, e thënë me njëfarë pikëllimi: “nuk jam më i njohur si më parë”.
A mund të jetë atje ana e së keqes? Ndoshta, pse jo.