Gjatë vitit 2021 në Kosovë janë diagnostikuar katër raste të reja me virusin HIV-AIDS.
Kështu ka bërë të ditur udhëheqësi i Asociacionit Kosovar të Personave që Jetojnë me HIV në Kosovë, Alban Gjonbalaj.
Gjonbalaj ka treguar se në muajin shtator të vitit të kaluar janë kryer testimet e fundit për virusin HIV.
“Analizat e fundit janë realizuar vitin e kaluar në Shtator. Ndërsa numri total i personave me HIV në Kosovë janë 136”, deklaroi Gjonbalaj për arbresh.info.
Procedurat për kryerjen e analizave për HIV bëhen përmes Klinikës Infektive në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Në Kosovë aktualisht numërohen 136 persona të prekur me virusin HIV/AIDS, ndërsa rasti i parë është regjistruar 34 vjet më parë.
Virusi HIV vazhdon të jetë problemi global shëndetësor i cili, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka marrë gati 33 milionë jetë deri më tani, kurse 38 milionë persona jetojnë me të.