Kina dhe Tajvani po bëhen paralelisht shtete digjitale: Kina si një regjim autoritar digjital, ndërsa Tajvani si një demokraci digjitale.
Kur Partia Komuniste Kineze shënoi përvjetorin e njëqindvjetorit të saj më 1 korrik, analistët e Kinës po vëzhgonin nga afër se çfarë do të bënte kryetari Xi Jinping më pas. Tajvani, nga ana tjetër, po ecën përpara me një plan të Parlamentit të Hapur, i prezantuar në qershor të vitit 2020, dhe me një politikë të transparencës radikale. Kina dhe Tajvani po bëhen paralelisht shtete digjitale: Kina si një regjim autoritar digjital dhe Tajvani si një demokraci digjitale. Prej të dyja vendeve, autoritarizmi digjital është më i lehtë për t’u zbatuar dhe ka shumë dëshmi të përqendruara në përcaktimin dhe kuptimin e tij. Akoma nuk ekziston një model i qartë i asaj që quhet demokraci digjitale, porse Tajvani është në procesin e krijimit të një demokracie të tillë.
Çfarë saktësisht është plani i Parlamentit të Hapur? I prezantuar nga Ligjvënësi Freddy Lim vitin e kaluar, ky plan u frymëzua pjesërisht nga Plani Kombëtar i Veprimit i Qeverisë së Hapur të Tajvanit. Plani i Parlamentit të Hapur përcakton pesë objektiva kryesorë për parlamentin e Tajvanit, të njohur si Yuani legjislativ (LY): transparenca, hapja, pjesëmarrja, digjitalizimi dhe shkrim-leximi. Në një intervistë, Lim tha se ai ka qenë prej kohësh i interesuar në teknologji dhe në politikë, duke shtuar se “arsyeja për të ndjekur këtë nismë ishte për një vizion të ri se si do të jetë e ardhmja e qeverisë dhe e parlamentit.”
Plani i Parlamentit të Hapur përfshin reforma të tilla si një transmetim i dedikuar televiziv i LY-së, ashtu siç është CSPAN në SHBA, por me një shtesë të rëndësishme të gjuhës së shenjave. Ky plan, gjithashtu ndaloi negociatat me dyer të mbyllura ndërpartiake, duke përfshirë edhe ato në nivelet e komisionit. Një tjetër ndryshim i madh do të jetë publikimi i të dhënave digjitale, të tilla si regjistrimet e votimit, buxhetet dhe konfliktet e interesit. Aktualisht, informacioni në internet është i kufizuar dhe shumica e të dhënave duhet të kërkohen fizikisht në LY.
Në mënyrë të ngjashme, Plani Kombëtar i Veprimit i Qeverisë së Hapur të Tajvanit fokusohet në rritjen e transparencës, në sigurimin e të dhënave dhe në rritjen e pjesëmarrjes qytetare përmes një sërë ndryshimesh të politikave në të gjithë Qeverinë e Tajvanit. Tajvani nuk mund të jetë anëtar formal i Partneritetit të Qeverisë së Hapur (i njohur si OGP), sepse nuk njihet ndërkombëtarisht si vend.
Ministrja digjitale e Tajvanit, Audrey Tang, e përshkroi OGP-në si “një iniciativë ndërkombëtare që mbron vlerat thelbësore, si transparenca, llogaridhënia, pjesëmarrja dhe përfshirja me theks në bashkëpunimin dhe bashkëkrijimin e qeverisë dhe të shoqërisë civile. Të gjitha këto janë në përputhje me atë që po bëjmë këtu në Tajvan”. Tang shpreson që Plani Kombëtar i Veprimit i Qeverisë së Hapur do të jetë një mundësi që Tajvani të hyjë në OGP.
Nuk mund të diskutohet për Parlamentin e Hapur të Tajvanit ose planin e Qeverisë së Hapur pa folur për shoqërinë civile dhe për organizimin bazë në komunitetin e teknologjisë, të njohur si “teknologji civile”. Ttcat, bashkëthemelues i “Doublethink Lab”, përcaktoi teknologjinë civile si “teknikë për të promovuar demokracinë dhe për t’u ndihmuar qytetarëve që të ngrenë zërin e tyre”.
“Teknologjia duhet të ndërtohet nga qytetarët dhe të jetë në pronësi të shoqërisë civile,” shtoi Ttcat.
Tang është gjithashtu optimist: “Unë besoj se shumë nga sfidat me të cilat përballemi sot, përfshirë pandeminë dhe infodeminë, mund të kapërcehen duke thelluar demokracinë dhe duke promovuar atë që unë e quaj “Partneritetet Publiko-Private”.
Tang është bërë anëtari më i famshëm i komunitetit të teknologjisë civile pasi u bashkua me administratën Tsai. Sidoqoftë, Tang është vetëm një person në atë që do të përshkruhej më së miri si një ekosistem i tërë i aktivistëve të teknologjisë. Për Planin e Parlamentit të Hapur ishin përfshirë 17 anëtarë të shoqërisë civile, duke tejkaluar numrin e shtatë ligjvënësve.
“Të mos japësh besim do të thotë të mos kesh besim. Qeveria e hapur jo vetëm që lehtëson pjesëmarrjen publike në punët publike, por është gjithashtu një mënyrë për të ushqyer besimin e ndërsjellë. Dhe kur ekziston një besim i tillë reciprok, lulëzojnë mundësi të reja për veprime kolektive,” tha Tang.
Sipas Lim, ndryshimi kryesor midis Tajvanit dhe Kinës është se në Tajvan ekziston mbikëqyrje për përdorimin e teknologjisë, të tilla si lidhja e të dhënave dhe afatet kohore për fuqitë e zgjeruara gjatë pandemisë. Brian Hioe, redaktor dhe themelues i revistës New Bloom, theksoi rëndësinë e shoqërisë civile pasi Tajvani përfshin më shumë teknologji në qeverisje. Për shembull, Qeveria e Tajvanit aktualisht zgjeroi fuqitë e saj për të mbledhur të dhëna gjatë pandemisë COVID-19. “Kërkohet mbikëqyrje qytetare për t’u siguruar që qeveria të mos mbajë të dhëna për qytetarët pas përfundimit të pandemisë. Mbikëqyrja është çelësi për të mbajtur nën kontroll çdo qeveri, bile edhe ato demokratike, dhe kjo vlen edhe për Qeverinë tajvaneze”.
Një shembull i afërt i një qeverie pa mbikëqyrje dhe pa besim është Partia Komuniste në Kinë (e njohur si PRC), e cila gjithnjë e më shumë mbështetet në autoritarizmin digjital për të monitoruar dhe për kontrolluar popullsinë. Shembujt më ekstremë janë në territoret periferike, si Tibeti, Hong-Kongu dhe Xinjiangu.
“Ekziston një ndryshim thelbësor midis demokracisë digjitale të Tajvanit dhe autoritarizmit digjital të regjimit të PRC-së”, tha Tang. “Derisa Pekini përdor mjete digjitale, si Sistemi i Kredisë Sociale dhe censura e shtetit, në Tajvan sektori shoqëror krijon, në mënyrë aktive, infrastruktura digjitale për t’ua mundësuar qytetarëve që të propozojnë dhe të shprehin mendime mbi reformat e politikave”.
“Në një demokraci digjitale, transparenca ka të bëjë me bërjen e shtetit transparent për publikun”, shtoi Tang. “Nën autoritarizmin digjital, fjala ‘transparencë’ do të thotë t’i bësh qytetarët transparentë ndaj shtetit”.
Sipas Amy Studdard, drejtoreshë për teknologjinë dhe demokracinë në Institutin Republikan Ndërkombëtar, “Tajvani është duke menduar sesi teknologjia mund të avancojë parimet demokratike. Në një epokë të konkurrencës së sistemit, suksesi i Tajvanit për ta bërë këtë i demonstron botës se demokracia digjitale, dhe jo autoritarizmi digjital, mund të jetë sistemi politik i së ardhmes”.
Sidoqoftë, Ttcat dëshiron që demokracia e Tajvanit të mendohet jashtë kontekstit të një konkurrence të ngushtë. “Autoritarizmi digjital i Kinës duhet të krahasohet me regjimet e tjera autoritare, e jo me vendet demokratike. Pavarësisht se Tajvani dhe Kina kanë një histori të gjatë të kulturës dhe të etnive të përbashkëta, ne po drejtojmë sisteme shumë të ndryshme të qeverisjes”.
“Derisa bota mund ta shohë Tajvanin si ofrim i një alternative për Kinën, është më shumë se një pikëpyetje nëse Tajvani mund të ndikojë në Kinë”, tha Hioe. “Varet vërtet nëse qytetarët kinezë janë në gjendje të mësojnë në lidhje me përpjekjet për demokraci digjitale në Tajvan dhe çështjet e qasjes në atë informacion”.
E gjithë kjo shtron pyetjen: A mund ta quajmë Tajvanin një demokraci digjitale akoma? “Njerëzit janë të vetëdijshëm për Audrey Tang dhe atë që ajo bën, por shumica prej tyre nuk e dinë se çfarë është demokracia digjitale”, tha Ttcat.
Digjitalizimi i demokracisë së Tajvanit mund të mos jetë i plotë, por përpjekjet e qeverisë dhe të shoqërisë civile të tij tregojnë për një alternativë të zbatueshme ndaj autoritarizmit digjital. Mjetet dhe politikat digjitale për të reformuar qeverinë e saj mund të zbatohen në demokraci të tjera.
“Për Kinën, ndoshta vetëm një gjë është e sigurt: se narracioni propagandistik që ky vend zhvilloi për vite me radhë, dhe se demokracia nuk është për Azinë, nuk është më atraktive me përparimin e Tajvanit,” tha Ttcat.
Ky portal mirëmbahet nga kompania “Telegramisot.info“. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Telegramisot.info“. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit.
info@telegramisot.info