Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se arkivat e Stambollit janë të rëndësishëm për të kundërshtuar pretendimet e Serbisë në Kosovë.
Sipas Kurtit, arkivat nga Perandoria Osmane që ndodhen në Stamboll, kanë një rëndësi të madhe për mitin e Serbisë. Ai thekson se rreth 15 për qind e arkivave në Stamboll, që kanë të bëjnë me viset ku jetojnë shqiptarët dhe që në Perandorinë Osmane kanë qenë vilajete, ende nuk janë hapur.
Siç thotë Kurti, nevojitet një numër i konsiderueshëm i osmanologëve dhe historianëve që të hulumtojnë në këto arkiva, të gjeturat dhe studimet e të cilëve do të jenë të rëndësishme për të kundërshtuar pretendimet e Serbisë në Kosovë.
“Në arkivat e Stambollit ndodhet një pjesë e konsiderueshme ende e pa zbuluar e të vërtetës së vilajeteve shqiptare në Perandorinë Osmane, ku dëshmohet dhe tregohet se shqiptarët kanë qenë edhe me prani të popullsisë, edhe me kulturën dhe veprimtarinë e tyre gjithmonë popullsi dërrmuese jo vetëm në Kosovë e Shqipëri, por edhe rrotull këtyre dy vendeve”, shpjegon Kurti për AA.
Sipas tij, nuk mjafton vetëm pavarësia e Kosovës, por nevojitet edhe dekolonizimi, që siç thotë ai, “në zemër e ka historinë e vërtetë të popullit autokton i cili nuk ka rreshtur asnjëherë kryengritjet, por të cilit i është imponuar e vërteta e pushtetit të huaj”.
“Besoj se Serbia e ka një trajektore fatkeqe e tragjike, e cila ka qenë tejet e dhimbshme për neve dhe që kalon prej mitit në gjenocid. Në mënyrë që të mos kemi më kurrë gjenocid duhet ta çmontojmë mitin dhe miti çmontohet me histori të vërtetë, ku pjesë shumë e rëndësishme janë arkivat e Stambollit”, thotë Kurti.