Zyrtarja e PSD-së, Natyra Kuçi ka thënë se reagimi i Qeverisë për arrestimet e djeshme ka ardhur vetëm pas presionit të qytetarëve dhe opinionit publik.
Ajo ka shkruar se dhuna policore ndaj aktivistëve tregon vetëm fillimin e përndjekjeve që do të marrin forma të ndryshme me kalimin e kohës.
“Dhuna policore ndaj aktivistëve tregon për fillimin e përndjekjeve. Ajo merr forma të ndryshme në kohë, por qëllimi është i njëjtë: paqtimi i dallimeve, dëgjueshmëria, disiplinimi. Policët më të zellshëm në ushtrimin e dhunës janë ata që marrin tagrin moral e politik prej populizmit të të Kryeministrit Kurti”, ka shkruar ajo në Facebook.
Tutje Kuçi ka thënë se qeveria po fshihet prapa reagimit që flet për protestën, kur në të njëjtën kohë po mbanë të burgosur kryetarin e PSD-së.
“Qeveria nuk mund të fshihet prapa një reagimi e një suspendimi të policit. Qeveria fshihet prapa një reagimi që flet për të drejtën për protestë, e në njëjtën kohë dhe për të njëjtin parim mbanë të burgosur Kryetarin e PSD-së”, ka shtuar ajo.