Japonia, në letrën e saj vjetore të Mbrojtjes, e njohur si letra e bardhë, ka paralajmëruar për tensionet në rritje ushtarake rreth Tajvanit, si dhe për rivalitetin ekonomik e teknologjik midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjë që mund të kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Azinë Lindore.
Kjo është hera e parë që raporti, i cili u miratua sot nga Qeveria e Kryeministrit japonez, Yoshihide Suga, flet për çështjen e stabilitetit rreth Tajvanit.
“Kina ka intensifikuar më tej aktivitetet ushtarake rreth Tajvanit, duke përfshirë aeroplanët luftarakë kinezë që hyjnë në hapësirën ajrore jugperëndimore të Tajvanit”, tha raporti në seksionin e tij të ri mbi Tajvanin. “Në ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka demonstruar një qëndrim të qartë të mbështetjes së Tajvanit në aspektet ushtarake, si transitet nga anijet e SHBA-së përmes ngushticës së Tajvanit dhe shitjet e armëve.
Stabilizimi i situatës përreth Tajvanit, thuhet në raport, është i rëndësishëm për sigurinë e Japonisë, por edhe për stabilitetin e bashkësisë ndërkombëtare.
“Prandaj, është e nevojshme që t’i kushtojmë vëmendje të madhe kësaj gjendje krize më shumë se kurrë më parë”, thuhet në raport.
Për Japoninë, veprimi i fundit i Pekinit me aktivitetin ushtarak rreth Tajvanit është shqetësues pasi ishulli i vetëqeverisur shtrihet afër zinxhirit Okinawa në skajin perëndimor të arkipelagut japonez.
Pekini pretendon se Tajvani është territori i tij dhe në asnjë moment nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për të rimarrë ishullin.
Në fillim të këtij muaji, presidenti kinez, Xi Jinping, u zotua të bëjë “ribashkimin” me Tajvanin, ndërsa ushtria kineze në qershor e cilësoi SHBA-në si “krijuesi më i madh i rreziqeve” të rajonit kur një anije luftarake e SHBA-së kaloi transit përmes rrugës së ngushtë ujore që ndan Tajvanin me tokën kineze.
Ndërsa tensionet rriten, Tokio po flet më hapur për këtë çështje përmes zëvendëskryeministrit japonez, Taro Asa, i cili në fillim të këtij muaji deklaroi se Japonia duhet të bashkojë forcat me SHBA-në për të mbrojtur Tajvanin nga çdo pushtim.
Komentet e Asos menjëherë nxitën një qortim të mprehtë nga Pekini, ku një zëdhënës i ministrisë së Jashtme tha se këto deklarata “dëmtuan themelin politik të marrëdhënieve Kinë-Japoni”.
Aso më vonë sqaroi komentet e tij, duke thënë se çdo veprim i papritur mbi Tajvanin duhet të zgjidhet përmes dialogut.
Letra e bardhë e mbrojtjes japoneze, gjithashtu identifikoi Detin e Kinës Jugore si një fushë tjetër që është thelbësore në rivalitetin SHBA-Kinë.
“Në Detin e Kinës Jugore, Kina po zgjeron aktivitetet e saj ushtarake, duke përfshirë lëshimet e raketave balistike dhe stërvitjet ushtarake që përfshijnë transportues avionësh,” thuhet në raport.
“Ndërkohë, në korrik të vitit 2020, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kritikoi pretendimet e Kinës për interesa detare, duke i cilësuar si të paligjshme, për çka u ashpërsua dhe qëndrimi amerikan kundër Kinës, duke zbatuar më vonë “Operacione të Lirisë së Navigimit” dhe ushtrime ushtarake që përfshijnë transportues avionësh”.
Prandaj, vazhdon raporti, është e nevojshme t’i kushtohej vëmendje më e madhe trendëve ushtarakë të dy superfuqive, si në Tajvan ashtu edhe në Detin e Kinës Jugore.