Me vendim të Prokurorisë Themelore në Pejë, Policia e Kosovs ka kryer sot disa bastisje në Pejë, Klinë dhe Istog pas dyshimeve se disa zyrtarë komunalë kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, lidhur me disa ndërtime të paligjshme.
Në pranga të Policisë, ranë tre drejtorët e Urbanizmit në këto tri komuna.
Indeksonline përmes burimeve të veta ka mësuar se gjatë këtij aksioni të Krimeve Ekonomike, u arrestuan Rajan Arapi – drejtori i Urbanizmit në Pejë, Jashar Blakaj – drejtori i Urbanizmit në Istog dhe Lorenc Marleku – drejtori i Urbanizmit në Klinë.
Ndryshe, Indeksonline pak më parë raportoi për aksionin në Istog, ku përveç drejtorit të Urbanizmit, Jashar Blakaj, u arrestuan edhe Rexhep Blakaj dhe Elfete Blakaj.
Edhe në Klinë, përveç drejtorit Lorenc Marleku, u arrestua edhe një zyrtar në kuadër të kësaj drejtorie, Ali Gashi.
Prokuroria Themelore në Pejë gjatë ditës së sotme do t’i drejtohet opinionit publik me kohë dhe në mënyrë të përshtatshme për rezultatet dhe veprimet e ndërmarra.