Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurti sot ka mbajtur mbledhjen e 19-të, në të cilën janë miratuar projektligje, vendime dhe udhëzime administrative.
Këto janë të gjitha vendimet që mori Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme:
Duke shqyrtuar dhe vlerësuar gjendjen emergjente të krijuar pas helmimeve në Komunën e Deçanit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë 150 mijë euro për financimin e projektit për trajtimin dhe rregullimin e sistemit të ujësjellësit. Vendimi obligon Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Komunën e Deçanit për ekzekutimin e këtij vendimi.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria ka miratuar 5 projektligje:
Reklamë
1. Projektligjin për ratifikimin e Amendamentit Nr.1 të marrëveshjes së lidhur ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë hungareze në lidhje me programin kornizë për bashkëpunim financiar;
2. Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale;
3. Projektligjin për të drejtën ndërkombëtare private;
4. Projektligjin për mbrojtjen e ajrit nga ndotja; dhe
5. Projektligjin për mbeturina nga industritë nxjerrëse të mineraleve.
Në vijim është miratuar edhe Udhëzimi administrativ për rregullat dhe normat e shkarkimeve në ajër nga burimet e palëvizshme të ndotjes i cili ka për qëllim që të përcaktojë:
– Intervalet, metodat, kushtet për monitorimin periodik dhe të vazhdueshëm të emisioneve të ndotësve në ajër, sipas matjes dhe llogaritjes si dhe mënyrën e vlerësimit të rezultateve të monitorimit;
– Vlerat e përgjithshme kufitare të emisioneve, vlerat kufitare specifike të emisioneve, mënyrën e llogaritjes së kufijve të emisioneve dhe kërkesat teknike për funksionimin e burimeve të palëvizshme dhe metodën e vlerësimit të pajtueshmërisë;
– Kërkesat lidhur me zvogëlimin e emisioneve të Komponimeve Organike të Avullueshme nga impiantet që përdorin tretës organik si dhe gjatë ruajtjes dhe distribuimit të benzinës; si dhe
– Kërkesën për raportimin e emisioneve nga operatorët e burimeve të palëvizshme.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit 2021-2025. Programi ka për qëllim që të përcaktojë masat dhe prioritetet e institucioneve për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Objektiv i programit është që të mundësojë përmbushjen e detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje.
Në mbledhjen e sotme është aprovuar vendimi për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidatët e përzgjedhur për kryetar dhe anëtarë të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik dhe të kandidatëve për pozitën e kryesuesit dhe dy anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energjinë.
Me vendimin e miratuar sot në mbledhje të Qeverisë, z.Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, është emëruar njëkohësisht edhe në pozitën e kryetarit të delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e personave të zhdukur, në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, nën kryesimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.
Me dy vendime të miratuara nga Qeveria e Kosovës i është propozuar Presidentes së Republikës së Kosovës dhënia e autorizimeve për zëvendëskryeministrin e parë për integrim evropian, zhvillim dhe dialog për nënshkrimin e Amandamentimit Nr.1 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2016 dhe për autorizimin e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, për nënshkrimin e Marrëveshjes së Financimit “Projekti Emergjent i Kosovës për COVID-19 – financim shtesë” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.
Miratimin e Qeverisë, në mbledhje, e ka marrë edhe nisma për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare për amandamentimin e Marrëveshjes së grantit në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për projektin “Mbështetja e BE-së për disponueshmërinë dhe qasjen në vaksinat kundër COVID-19 në Kosovë.
Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe Pakon për Ringjalljen Ekonomike, që është faza e dytë e adresimit të vështirësive të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Kjo pako me masat e propozuara mund të kontribuojë në arritjen e katër synimeve:
– Punësimin dhe formalizmin e ekonomisë, me fokus parësorë në fuqizimin e gruas dhe të të rinjve në ekonomi;
– Përmirësimi i strukturës së përbërjes të të ardhurave përmes favorizimit të sektorëve të caktuar ekonomik, sidomos në sferën e prodhimit dhe të përmirësimit të bilancit tregtar të vendit;
– Rritja e balancuar dhe gjithëpërfshirëse ekonomike, duke u përkujdesur që kjo rritje të shoqërohet edhe me përmirësimin e indikatorëve kyç të mirëqenies;
– Ruajtja e qëndrueshmërisë afatgjate dhe minimizimi i rreziqeve fiskale të vendit duke mbajtur nën kontroll borxhin publik dhe koordinimin me donatorët.
Shuma e përgjithshme e Pakos së Ringjalljes Ekonomike është 420 milionë euro, ku financimi nga buxheti është 190 milionë euro ndërsa 230 milionë euro do të jenë financime nga huamarrja.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për hartimin e Programit të Reformave Ekonomike 2022-2024, si pjesë të dialogut me Bashkimin Evropian. Programi do të bazohet në kornizën makro-fiskale dhe është pjesë e Programit të Qeverisë 2021-2023.
Qeveria ka miratuar edhe vendimin për plotësim-ndryshimin e vendimit për ndalimin e procedurave të blerjes së automjeteve zyrtare nga ministritë dhe agjencitë në vartësi të tyre. Me plotësimin dhe ndryshimin e këtij vendimi, Doganat e Kosovës nuk do të ju nënshtrohen kufizimeve të këtij vendimi.
Katër milionë euro i ka ndarë Qeveria nga mjetet buxhetore për Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për blerjen e librave. Këto mjete merren nga rimëkëmbja ekonomike dhe transferohen ne Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Ndërsa 4.5 milionë, me një vendim tjetër të aprovuar në mbledhje, janë ndarë për Ministrinë e Mbrojtjes për blerjen e dronëve.