“Policia e Shtetit, përtej të metave apo dobësive të saj dhe përmirësimeve të mëtejshme që duhen dhe do të bëhen, as nuk ndjek çdo makinë që lëviz në rrugët e vendit, e as nuk mund të parandalojë një sherr në orën 1 të natës mes dy fqinjëve”. Kështu u shpreh ministri i Brendshëm Bledi Çuçi pak ditë më parë pas aksidentit tragjik në aksin Fier-Vlorë ku u shua një familje dhe masakrës në Velipojë.
Por faji duket se nuk duhet kërkuar vetëm te qytetarët dhe për këtë po ju sjellim një shembull të thjeshtë nga Elbasani, se si e zbaton policia e këtij qyteti ligjin.
Efektivët e policisë në vend që të rrezatojnë shembullin si duhet të zbatohet ligji, bëjnë të kundërtën. “JOQ” ka publikuar një denoncim nga Elbasani, ku makina e policisë është parkuar pa asnjë shqetësim mbi vijat e bardha në rrugë, që i shkon për shtat më së miri shprehja popullore “Bëni si them unë, jo si bëj unë”.
Në shumë raste institucionet dalin me raporte se një pjesë të fajit për aksidentet rrugore e kanë vetë kalimtarët që nuk respektojnë vijat e bardha në rrugë. Por si i bëhet kur mbi vijat e bardha ku duhet të kalojnë qytetarët, policia parkon makinën?
Por mbi të gjitha cfarë do të ndodhte nëse një shkelje të tillë do ta kryente një qytetar i thjeshtë? Gjoba nuk do të diskutohej, por mund të shkohej edhe më tej. Megjithatë për efektivin që ka parkuar makinën e policisë së Elbasanit me targë “AA 744 VE” kjo nuk ka rëndësi, pasi i duket vetja se është vetë ligji dhe vetë maliqi.
Shkeljet në drejtorinë e policisë së Elbasanit duket se nuk janë një fenomen i izoluar, por i përhapur, pasi kohët e fundit janë shtuar akuzat për korrupsion brenda radhëve të saj.