Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në Samitin e Berlinit, i cili sivjet u mbajt në mënyrë elektronike.
I pari i ekzekutivit tha se ky proces, i udhëhequr nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka sjellë rajonin më afër sesa që ishte shtatë vjet më parë, kur nisi.
Sidoqoftë, Kurti thotë se ka akoma shumë punë për t’u bërë. Sipas tij, tani është koha për ndërmarrjen e veprimeve të guximshme me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe me Bashkimin Evropian.
“Ne e dimë që Procesi i Berlinit u krijua në sfondin e sfidave gjeopolitike dhe pasigurive në Ballkanin Perëndimor, në një kohë kur perspektiva e rajonit për anëtarësimin në BE dukej e largët. Për fat të keq, shtatë vjet më vonë situata nuk ka ndryshuar shumë.”
“Kjo shtron nevojën për veprime të guximshme si nga BE-ja, ashtu edhe nga Ballkani Perëndimor për të ripërtërirë përkushtimin dhe për të forcuar lidhjet të cilat do të përshpejtonin reformat. Është për keqardhje që nuk pati përparim në marrëveshjet e negociuara me lehtësimin e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Disa palë ende po shtyjnë gjuhë që nuk është në përputhje me realitetin dhe as me frymën e Procesit të Berlinit”, citohet të ketë thënë Kurti.
Në kumtesën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit thuhet se Kurti ia ka përmendur Merkelit dhe kryeministrave të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor propozimin që ka bërë në Tiranë, që CEFTA të avancojë në SEFTA (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë për Evropën Juglindore) bazuar në modelin EFTA – EEA që, sipas tij, do të lartësonte të gjithë rajonin dhe do të kapërcente pengesat aktuale.
“Ne shpresojmë që Komisioni Evropian do ta konsiderojë seriozisht këtë propozim dhe të fillojë një dialog që do të çonte në rezultate konkrete”, ka përfunduar ai, duke shpresuar se Procesi i Berlinit, i nisur nga Merkel do të vazhdohet edhe pas largimit të saj.