Një mjek kirurg dhe një mjek anestezist të Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë janë arrestuar, si të dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Ndalimi i tyre u bë për arsye se në ambientet e një qendre spitalore në Tiranë, pas një operacioni mjekësor që kirurgu S. M. dhe anestezisti E. S. i kanë bërë shtetasit E. D., i plagosur mbrëmjen e datës 27 qershor, në Velipojë, i ati i pacientit, shtetasi F. D. dyshohet se iu ka dhënë të dy mjekëve një sasi parash për kryerjen e operacionit.
Gjithashtu u bë ndalimi edhe i shtetasit F. D, 40 vjeç, banues në Shkodër.
Pas kontrolleve të ushtruara, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shumën 377.000 lekë të rinj dhe 55 euro.