Mos aprovimi i drejtimeve mjekësore në disa shkolla profesionale kanë bërë që komunat të ankohen në Ministrin e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
E për këtë çështje ka reaguar Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila ka dhënë sqarime dhe njëkohësisht ka theksuar shkollat që nuk kanë pasur vendim për hapjen e këtyre profileve.
“Komuna e Deçanit: Shkolla ‘Tafil Kasumaj’, nuk ka pasur aprovim as vendim për lejimin e profileve mjekësore. Vendimi paraprak ka vlejtur për vitin shkollor 2019/2020.
Komuna e Dragashit: Shkolla ‘Ruzhdi Berisha’ nuk ka pasur vendim për lejimin e profilit mjekësor (farmaci).Vendimi paraprak ka qenë vetëm për vitin shkollor 2019/2020.
Komuna e Rahovecit: Nuk ka pasur vendim për lejimin e profileve mjekësore në shkollën “Selajdin Mullaabazi-Mici”. Vendimi ka qenë vetëm për vitin shkollor 2018/2019.
Komuna e Drenasit: Në shkollën ‘Fehmi Lladrovci’, MASHTI nuk e ka aprovuar kërkesën për profilin mjeksor (farmaci) për arsye se ky institucion nuk ka pasur aprovim as vendim për lejimin e profilit të lartcekur.
Komuna e Klinës: Gjatë shqyrtimit të konkursit të kësaj komune, për regjistrimin e nxënësve në klasat e dhjeta për vitin shkollor 2021-2022, në shkollën ‘Fehmi Agani’, MASHTI nuk e ka aprovuar kërkesën për profile mjekësore për arsye të verifikimit të gjendjes nga komisionit vlerësues dhe verifikues, bazuar në ligjet në fuqi. “, ka shkruar ajo.
Ajo thotë se secila nga komunat e përmendura mund të parashtrojnë kërkesë me shkrim për hapjen e profileve mjekësore për vitin shkollor 2021/2022, ndërkohë që komisioni do t’i verifikojë nëse plotësojnë kushtet.
Por, ministrja ka theksuar se të gjithë personat të cilët në mënyrë të jashtëligjshme kanë mundësuar zhvillimin e mësimit duke rrezikuar diplomat e nxënësve do të mbahen përgjegjës.
“Për fund, dua ta bëj të qartë se të gjithë personat të cilët në mënyrë të jashtëligjshme kanë mundësuar zhvillimin e mësimit duke rrezikuar diplomat e nxënësve do të mbahen përgjegjës“, ka përfunduar Nagavci.