Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka zhvilluar këtë të enjte vizitën e tij të radhës në Kosovë, ndërsa dhe pati takime me krerët shtetërorë të vendit.
Megjithatë temë me shumë rëndësi dhe diskutuese në takimet e bëra mbeti letër-zotimi i ish-presidentit dhe ish-kryeministrit Hashim Thaçit, i vitit 2013 që ua kishte dhënë NATO-s, për shtrirjen apo operimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri vetëm me leje të KFOR-it, transmeton klankosova.tv.
Kjo meqë me këtë marrëveshje nuk po pajtohej kryeminsitri aktual Albin Kurti, i cili në një seancë kuvendi të mbajtur më 20 maj të këtij viti, e kishte quajtur tejet të dëmshme.
”Marrëveshja në fjalë që ka qenë një shkëmbim i letrave, ka qenë dhe vazhdon të jetë e dëmshme për interesat e Republikës së Kosovës, dhe vazhdoj të qëndroj prapa asaj që kam deklaruar në shkurt të vitit 2020”, kishte thënë Kurti.
”Unë nuk kam akuzuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s në lidhje me atë shkëmbim të letrave, dhe nuk mund të kërkoj llogari prej tij. Por, kam akuzuar titullarin e atëhershëm të institucioneve të Republikës së Kosovës, që ka vënë firmën në një shkresë të tillë”.
Madje këtë zotim, sikurse në të kaluarën Kurti e shihte si tradhti kombëtare, kështu duke bërë edhe depozitim edhe në prokurori.
”Një problematikë që i ka rrënjët tetë vjet më parë nuk mund të adresohet e rregullohet përmes një takimi të vetëm, që ishte i pari i imi në selinë qendrore të NATO-s”.
”Atëherë e kam referuar çështjen në prokurori dhe tash çështja i mbetet prokurorisë për trajtim”, ishte shprehur Kurti më 20 maj para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, transmeton klankosova.tv.
Por, ndonëse kishin takime të mëparshme mes vete, as njëri apo tjetri, Stoltenberg dhe Kurti, nuk kishin pranuar nëse kjo marrëveshje ishte vendosur ndonjëherë si temë diskutimi mes tyre.
Dhe këtë kureshtje sot e shoi vet Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, i cili kërkoi që kjo marrëveshje e vitit 2013 pavarësisht kundërshtive të shumta, të jetë nën përgjegjësinë e secilit dhe të respektohet.
”Kjo ka qenë temë që e kemi diskutuar. Ne kemi nënshkruar një marrëveshje me autoritetet e Kosovës”.
”Dhe kjo marrëveshje për të gjitha vendet dhe për të gjitha institucionet kur kemi një marrëveshje, nënshkruhet me persona që janë në pozicionet e tyre respektive dhe është ende valide dhe është përgjegjësi e të gjithëve për të zbatuar ende një marrëveshje e cila nënshkruhet”, tha Stoltenberg në Prishtinë.
Sipas Stoltenberg kjo është mënyra më e mirë për të vazhduar për të gjetur balancë për situatën aktuale deri në gjetjen e një zgjidhjeje në dialog mes të dyja palëve.
”E mirëpres që autoritet e Kosovës vazhdojnë të mbështesin marrëveshjen e vitit 2013 që FSK të mos kalojë në pjesën veriore të Kosovës pa leje të KFOR-it”.
Megjithatë pavarësisht se marrëveshje ndërkombëtare, në seancën e 20 majit të këtij viti, Kryeministri Albin Kurti, kishte insistuar se qëndrimet e tij nuk kanë ndryshuar fare.
”Unë tashmë u përgjigja që kjo është një marrëveshje e dëmshme, dhe është një fakt që e kemi trashëguar sikur faktet tjera të mëhershme”.
”Më 19 prill 2013 ka nënshkruar ish-Kryeministri i Kosovës, me ish-Kryeministrin e Serbisë në Bruksel në 15 pika, gjashtë prej të cilave i referohen Asociacionit të komunave me shumicë serbe përkatësisht Zajednicës. Aty janë rrënjët e së keqes, por unë jam çuditur kur kam parë që aty s’ka qenë veç një marrëveshje por kanë qenë dy”.
”Njëra që është bërë publike në BE dhe tjetra që s’u bë publike me NATO-n. Dhe e cila kurrë nuk është sjell as si informatë në Kuvendin e Republikës, e aq më pak të ratifikohet tek ne. Prandaj ne kemi edhe një element të së njëjtën trashëgimi të keqe që ne dalëngadalë me durim, me punë – do ta ndryshojmë”.