Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka ironizuar me vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentes, Vjosa Osmanit, për shkarkimin e zëvendësdrejtoreshës së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Vlora Hyseni.
Musliu ka rekomanduar të gjitha gratë të cilat punojnë në institucionet e vendit, që të vendosin në profilet e tyre në rrjete sociale, fotografinë e kryeministrit ose të presidentes.
Në të kundërtën, ajo thotë se ato rrezikojnë të humbasin vendin e tyre të punës.
Deputetja e PDK-së ka ironizuar duke thënë se vlerat e këtyre grave njihen vetëm kur Kurti të njihet për profet.
“Gra të dashura e të zonja, ju profesioniste të dëshmuara, kudo që jeni duke dhënë kontribut në institucionet e Kosovës, e di që jeni krenare për veten dhe punën që bëni, por unë ju rekomandoj: Të vendosni sa më parë në profilet tuaja fotografinë e kryeministrit apo të presidentes aktuale të Kosovës, përndryshe rrezikoni të humbisni vendin e punës dhe të etiketoheni me epitete nga më të ndryshme, sepse vlerat tuaja profesionale e njerëzore vijnë në shprehje vetëm kur njihet për profet Albin Kurti”, shkroi ndër të tjera ajo në Facebook.
Ajo po ashtu ka thënë që pret që shefja në detyrë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, në seancën e radhës, “të thure elegji për shkarkimin e zv.drejtoreshës së AKI-së, sepse sipas logjikës së tyre, gratë janë të zonja e profesioniste vetëm kur janë në VV”, ka përfunduar ajo.