Agjencia e Kosovës kundër Korrupsionit ka publikuar regjistrat e deklarimit të pasurisë për zyrtarët e lartë publikë për vitin 2020,
Sipas këtij raporti ministri Vitia ka deklaruar se posedon një shtëpi të trashëguar me sipërfaqe 250 metra katror me vlerë 150 mijë euro dhe një truall me sipërfaqe 15 ari po ashtu të trashëguar, me vlerë 250 mijë euro.
Tutje Vitia ka deklaruar se ka në pronësi edhe një veturë Mazda të cilën ai e ka blerë nga kursimet dhe huamarrja në vitin 2013 me vlerë 12 mijë euro, dhe një veturë Suzuki të cilën e ka blerë me kredi bankare në vitin 2018 me vlerë 15 mijë euro.
Vitia ka deklaruar të hyra mujore nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës, 1 mijë e 151 euro e 92 centë neto. Ndërkaq, bashkëshortja e tij ka të hyra nga puna në spitalin “Fati im” 1 mijë e 500 euro neto.
Arben Vitia ka deklaruar 6 mijë e 523 euro e 29 cent para të gatshme të mbajtura në institucionet financiare dhe 2 mijë e 488 euro e 71 centë para të gatshme të bashkëshortes.
Gjithashtu ministri ka deklaruar se ka edhe një kredi në vlerë prej 20 mijë eurosh në emër të bashkëshortes dhe 2 mijë e 500 euro huadhënje po ashtu në emër të bashkëshortes.