Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është në Francë për takimin me presidentin i Francës, Emmanuel Macron.
Këto janë pamjet e pritjes së tij para Pallatit Elisee nga Macron, ku edhe do të mbajnë konferencë për gazetarë.
Në këtë udhëtim Kurtin e kanë shoqëruar edhe dy zëvendëskryeministrat, Besnik Bislimi dhe Emilja Rexhepi.
Kryeministri Albin Kurti sot do të takohet me presidentin e Francës Emmanuel Macron, i cili kishte provuar edhe më herët ta shtynte përpara arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në shkurt të këtij viti, në po të njëjtin vend ishte presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Më herët, aty kishte qenë edhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Macron, pas takimit me Vuçiqin pranonte se kryetema e takimit ishte dialogu Kosovë – Serbi, ndërsa theksonte se do të mbështeste zgjidhjet që propozoheshin nga presidenti serb, e të cilat presidenti francez i quante inovative.
“Patëm bisedime të besimit të plotë me presidentin Vuçiq sa i përket kësaj teme, dhe dua ta përshëndes përgjegjësinë që ka marrë ai disa herë për të propozuar disa zgjidhje që janë inovative. Jam i gatshëm t’i mbështes ato”, kishte thënë Macron.
Ai theksonte se do t’i mbështesë të gjithë ata që duan përparim në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
“Llogarisni në mua, e unë do të vazhdoj të jem me ju derisa të arrijmë përparim në këtë rrugë, në rrugën e normalizimit, por edhe në rrugën që na sjellë stabilitet e paqe në rajon dhe e di se ky është synimi juaj”, shprehej Macron.
Vuçiq, pas takimit me Macronin ishte shprehur i kënaqur, ndërsa thoshte se presidenti francez nuk donte t’ia impononte Serbisë njohjen e pavarësisë së Kosovës.