Kryeministri Albin Kurti, për Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, ka kërkuar drejtësi për gra dhe burra të dhunuara nga forcat serbe më 1999’ën në Kosovë.
Kurti, me anë të një postimi në llogarinë e tij në ‘Twitter’, ka thënë se vendosja e drejtësisë është me rëndësi që të lehtësohen dhimbjet e të mbijetuarave të dhunës seksuale.
“Në #Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt kujtojmë se askush nuk është dënuar për mijëra gra dhe burra të dhunuar në Kosovë nga forcat serbe më 1998-9”, thuhet në postimin e tij.
“Drejtësia është e nevojshme për të lehtësuar vuajtjet dhe stigmën e heshtjes të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës”, ka shtuar tutje ai.
Kurti dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kanë thënë se do e padisin Serbinë për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ndonëse ende nuk është ndërmarrë ndonjë hap në drejtim të këtij vendimi.