Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, tha se presidenti i ShBA-së, Joe Biden, dhe homologu i tij turk, Rexhep Erdogan, janë pajtuar gjatë takimit të kësaj jave se Turqia do të marrë rol udhëheqës në sigurimin e Aeroportit të Kabulit pas tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani.
Megjithatë, dy presidentët nuk arritën që ta zgjidhnin mosmarrëveshjen e gjatë rreth blerjes së sistemit ajror rus, S-400, nga Turqia, tha Sullivan, duke shtuar se dialogu për këtë temë do të vazhdojë. Kjo çështje i ka tensionuar raportet mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë, shtete aleate në NATO.
Sipas zyrtarit amerikan, gjatë takimit të së hënës mes Bidenit dhe Erdoganit në samitin e NATO-s, presidenti turk kërkoi forma të caktuara të përkrahjes amerikane për ta siguruar Aeroportin e Kabulit dhe Bideni u zotua se do ta ofrojë atë përkrahje, shkruan Reuters.
Përpos mosmarrëveshjes për blerjen e armatimit rus, Shtetet e Bashkuara e Turqia kanë qëndrime të ndryshme edhe për tema të tjera, si gjendja në Siri dhe Mesdheu Lindor, prandaj pritjet për ndonjë marrëveshje të madhe në takimin e së hënës ishin të ulëta.
Si presidenti, Joe Biden ka vendosur një ton më të ftohtë sesa paraardhësi Trump ndaj Erdoganit. Ai e njohu masakrimin e armenëve nga Perandoria Osmane më 1915 si gjenocid, gjë që e zemëroi Turqinë, dhe i shtoi kritikat ndaj gjendjes së të drejtave të njeriut në Turqi.