Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka komentuar deklaratën e zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ku ka thënë se Marrëveshja e Uashingtonit, e nënshkruar në mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka vlerë juridike.
Haradinaj ka kërkuar nga Kryeministri Kurti që ta përgënjeshtrojë këtë deklaratë, ose përndryshe duhet ta marrë të gjithë përgjegjësinë e rrezikimit të partneritetit me Amerikën, i cili është i rëndësisë jetike për Kosovën.
Sipas Haradinajt, partneriteti me Amerikën nuk guxon të rrezikohet nga askush, nga asnjë qeveri e nga asnjë kryeministër.
Postimi i plotë i Ramush Haradinajt:
Qeveria Kurti paska deklaruar se e vetmja marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, qenka juridikisht e pavlerë! Nëse Kryeministri, nuk e përgënjeshtron këtë deklaratë të zëdhënësit të tij, ai merr gjithë përgjegjësinë e rrezikimit të partneritetit strategjik me Amerikën që është jetik për Kosovën. Këtë nuk do të mund ta bëjë askush, asnjë qeveri e asnjë kryeministër!