Dardan Molliqaj, kryetari i Partisë Socialdemokrate, ka komentuar qëndrimin e kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit në raport me dialogun Kosovë – Serbi.
Molliqaj tha për Albin Kurtin se ka zgjedhur ndërmjetësuesin e gabuar në dialog, gjë që e çon në zgjatje të konfliktit Kosovë – Serbi.
Albin Kurti ka zgjedhur si ndërmjetësues përfaqësuesin për Brukselin, Joseph Borrell dhe për Dardan Molliqaj do të kishte qenë më e saktë po të kishte zgjedhur SHBA-në.
“Qasja e Kurtit është vazhdimësi e asaj që kanë prodhuar qeveritë dhe negociatat e mëhershme, duke zgjedhur ndërmjetësuesin Albin Kurti ka zgjedhur edhe kompromisin që do të bëjë. Kosova duhet të ketë dialog dhe kompromis, mirëpo përpara duhet të flasim për premisat. Pastaj mund të diskutojmë për kompromisin. […] Duke mos pranuar SHBA si ndërmjetëse, ai refuzoi edhe zgjidhjen përfundimtare të zgjidhjes midis Kosovës dhe Serbisë. Ne në Kosovë këto i trajtojmë si dy linja historike”, u shpreh ai.
Dardan Molliqaj tha se nuk është dakord me aspiratat që kanë përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, Joseph Borrell dhe Miroslav Lajçak, për zgjidhjen e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë.
“Qeveria që në mandatin e parë zgjodhi si përfaqësues Brukselin, pra, z. Borell. Aspirtat e Lajçak dhe Borrel për zgjidhjen mes Kosovës dhe Serbisë, janë përmes ndryshimeve kushtetues në Kosovë dhe Serbi dhe akomodimit të autonomisë së Serbisë. Kjo nënkupton një status special për Veriun e Kosovës ku me shumicë është nga minoriteti serb dhe për pjesën e serbëve në jugun e Kosovës do të jetë asociacioni i komunave si edhe zgjerimi i territorit”, tha Molliqaj për Euronews Albania.
Tutje ai shtoi se nevojitet një zgjidhje përfundimtare dhe jo zgjatje e konfliktit me Serbinë dhe kjo zgjidhje mund të vijë jo duke kërkuar njohjen e Kosovës nga Serbia, por me njohjen e subjektivitetit të Kosovës nga ky shtet.
Sipas tij, një zgjidhje e tillë do të sillte bashkëpunim në rajon.
”Janë bërë mbi 20 vjet që Kosova është çliruar nga Serbia. Kosovës i duhet një zgjidhje përfundimtare, e qëndrueshme dhe që garanton nga njëra anë shkëputjen përfundimtare nga Serbia dhe nga ana tjetër, njohjen e subjektivitetit nga Serbia”, u shpreh Dardan Molliqaj.
“Jo njohjen e Kosovës por njohjen e subjektivitetit që nënkupton se Kosova ka të drejtën e vet të organizohet brenda dhe së jashtmi në kuptimin e bashkëpunimeve rajonale, qofshin ato edhe të bashkimit me Shqipërinë”, shtoi ai.
Molliqaj ka thënë se mënyra se si Albin Kurti po e menaxhon dialogun, krijon një konflikt “të ngrirë” Kosovë – Serbi. Ai tha se sipas tij Kurti nuk po sjell asgjë të re në këto negociata, por po ndjek rrugën që kanë ndjekur paraardhësit e tij.
“Është e papranueshme që të kemi një zgjatje të konfliktit të ngrirë mes Kosovës dhe Serbisë dhe të një konsolidimi të Serbisë në Kosovë, që do të jetë asociacioni i Komunave me shumicë serbe, por do të ketë një emërtim tjetër pasi një gjë të tillë nuk e ka zgjedhur Gjykata Kushtetuese. Kjo që ka nisur Kurti është në rrugën e vjetër dhe çon në rezultatin e vjetër”, tha Molliqaj.