Emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak tha se takimi mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq nuk ishte i lehtë, por sipas tij ishte i rëndësishëm që ndodhi.
“Ky ishte takimi i parë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Nuk ishte takim i lehtë por ishte e rëndësishme që ndodhi. Të dy liderët e thanë haptas dhe sinqerisht se çka donte secili prej dialogut. Ajo që është e rëndësishme për Bashkimin Evropian është se të dy liderët e konfirmuan se nuk ka rrugë përpara pos të normalizojnë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë”.
Tutje ai ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të ecin drejtë BE-së duke vazhduar dialogun.
“Dhe të dyja palët e konfirmuan zotimin se do ta bëjnë këtë përmes dialogut. Por dialogu do të vazhdojë para fundit të korrikut. BE-ja dhe qytetarët e Serbisë dhe Kosovës kanë pritje të mëdha për liderët e tyre që t’i kalojnë trashëgimitë e së kaluarës… “, ka thënë Lajçak.