Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka mbajtur një konferencë për media, pas shkarkimit të saj nga presidentja, Vjosa Osmani.
Daka para gazetarëve tha se ky vendim është i porositur dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Në pyetjen e gazetarëve se a mendon se prapa shkarkimit të saj, qëndron vendimi për moslejimin e kandidimit të Kurtit dhe të tjerëve në zgjedhjet e 14 shkurtit, Valdete Daka u përgjigj kështu:
“Unë i thash të gjitha në këtë adresim, jeni dëshmitarë të asaj që ka ndodhë prej 22 janarit e tutje, prej atij momenti kur kemi vendosur të zbatojmë aktgjykimin e Kushtetueses, që nga ai moment jam në shënjestër të disa personaliteteve, ju tashmë i dini.”
“Nuk është shumë vështirë me e gjetë porositësin e këtij vendimi, që nga 22 janari kam qenë cak i fushatës, i linçimit, kam qenë target publik për të gjithë ata që kanë konsideru se unë jam duke punu në kundërshtim me atë se çka kanë mendu se duhet të ndodhë në KQZ”, ka thënë Daka.