Vdekja e ish shefit të antidrogës, njëkohësisht oficeri i lartë i policisë së Ulqinit, Rudolf Elezoviç, vazhdon të mbetet e rrethuar me mister.
Policia e Malit të Zi e gjeti trupin e tij të pajetë disa ditë më parë në Lumin Buna, në kufi me Shqipërinë.
“Autopsia vërtetoi se bëhet fjalë për oficerin Elezoviç dhe Prokuroria e Lartë e Shtetit në Podgoricë po punon për zbardhjen e rastit”, thuhet në njoftimin e drejtorisë policore. Mediat vendase shkruajnë se polici kishte një plagë plumbi në kokë, por në vendngjarje nuk u gjet asnjë armë. Ato pretendojnë se Elezoviç e kishte lënë armën e shërbimit në shtëpi dhe ka dalë të takojë një person të panjohur për familjarët, të cilëve u ka thënë se do të shkonte në Shkodër e do të kthehej shpejt.“
Mendohet që mund të ketë qenë një kurth. Zhdukjen e 54 vjeçarit e raportoi e shoqja, Marina që në 27 maj. Kohët e fundit raportohet se Elezoviç kishte punuar në sektorin e anti-trafikut në Policinë Kufitare të Malit të Zi dhe kishte hetuar trafikun dhe goditjen ndaj trafikantëve në të dyja anët e kufirit në bazë të marrëveshjes dypalëshe.
Autoritetet malazeze nisën menjëherë hetimet duke kërkuar bashkëpunim dhe mbështetje edhe nga autoritetet shqiptare.