Zyrtarja e Komunës së Gjakovës është kapur gjatë orarit të punës duke pirë cigare brenda hapësirave të këtij objekti.
Për më tepër, zyrtarja e cila është Udhëheqëse e Zyrës së Gjendjes Civile ka konsumuar duhan në hapësirat e komunës ku kanë qasje të gjitha palët.
Në një video që ka ardhur në adresë të Gazetës Online “Reporteri.net”, shihet se zyrtarja në fjalë nuk e prishë tymin e duhanit, përkundër faktit se në këtë mënyrë ajo është duke shkelur Ligjin për Kontrollin e Duhanit, me të cilin parashihen gjoba për të gjithë qytetarët që konsumojnë duhan brenda hapësirave të mbyllura publike.
Kjo nuk është hera e parë që brenda hapësirave të institucioneve kosovare rrezikohet shëndeti publik.
Kujtojmë se në maj të vitit 2013 në Kosovë ka hyrë në fuqi Ligji për Kontrollin e Duhanit që e ndalon pirjen e cigareve nëpër hapësira të mbyllura publike.