Kandidati i VV-së për deputet në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri, Boiken Abazi, ka komentuar përqafimin që Edi Rama i bën Albin Kurtit.
Abazi e ka cilësuar përqafimin në fjalë të llojit “prej boksieri” dhe jo “vëllazëror” duke pretenduar madje se Rama e ka grushtuar Kurtin në një televizion pas atij përqafimi.
“Rama i dha, megjithatë, një përqafim prej atyre që boksieri bënë për të marrë pak frymë e për t’u shplodhur, para grushtit të radhës.” – ka shkruar z. Abazi në profilin e tij në Facebook, përcjell Periskopi.
Ai pretendon se më pas Rama e goditi me grusht “nismën e Kurtit” për ta paditur Serbinë për gjenocid në Kosovë.
Statusi i plotë:
Përqafimi që Rama i bëri Kurtit nuk ishte i llojit vëllazëror. Ai ishte përqafim prej boksieri, edhe pse Kurti nuk kishte ardhur aspak për ndeshje me Ramën, por për koordinim kombëtar. Rama i dha, megjithatë, një përqafim prej atyre që boksieri bënë për të marrë pak frymë e për t’u shplodhur, para grushtit të radhës. Dhe grushti erdhi menjëherë pas “përqafimit”, në intervistën për “Euronews Serbia”, ku Rama e goditi nismën e qeverisë Kurti për ta paditur Serbinë për gjenocid në Kosovë.