Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë ekskluzive për televizionin Euronews Serbia, ka bërë të qartë se ideja e një “Shqipërie të madhe është marrëzi më vete”, po ka theksuar gjithashtu se nëse Beogradi nuk e njeh Prishtinën zyrtare, atëherë kjo është në dëm të Serbisë.
Rama është pyetur mbi çështjen e përmendjes së Shqipërisë së Madhe në fjalorin politik të Tiranës zyrtare, por kryeministri ka mohuar të ketë një adresim të tillë, duke i quajtur “trillime në libra historikë ose mendime të disa mendjeve shqiptare”.
“Shqipëria e Madhe është një term që ka origjinën jashtë Shqipërisë dhe është inkurajuar nga ata që dëshironin të krijonin një përbindësh të rrezikshëm, i cili natyrisht do të ishte shqiptar i rrezikshëm. Shqipëria e Madhe është marrëzi më vete”.
Po kështu, është shprehur edhe mbi idenë e Serbisë së Madhe, e cila për Ramën tejkalohet nga ideja e bashkimit brenda organizmit evropian të Bashkimit Evropian.
“Ideja e bashkimit brenda BE-së i tejkalon ndarjet etnike”, theksoi Rama. “Duhet t’i jepet mundësia të gjithëve të lëvizin të lirë, të bëjnë tregti, të hiqen kufijtë”.
Mbi dialogun Prishtinë-Beograd nga ana tjetër, Ramamendon se zgjidhja e çështjes është e domosdoshme. Pavarësisht kësaj, kryeministri mendon se njohja e Kosovës nga Serbia po vonon.
Mbi këtë, Rama argumenton se vonesa, është në dëm të Serbisë dhe popullit serb.
Ndërkaq, mesazhi i Ramës për popullin serb, ishte i qartë: “Ejani të na vizitoni”.
“Nuk keni nevojë as për viza as për pasaportë. Vetëm për kartë identiteti. Ejani shijoni bregdetin tonë, takoni njerëz”, iu drejtua kryeministri qytetarëve të Serbisë.