Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar sot me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë – Prishtinë, Mirosllav Lajçak, dhe me ndihmës zëvendëssekretarin e shtetit amerikan Matthew Palmer.
Vuçiq ka vlerësuar takimin si të mirë dhe ka thënë se së shpejti do të vazhdohet dialogu me Kosovën e se beson në mundësinë e arritjes së një “marrëveshjeje kompromisi”.
“Bisedë e mirë me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Beograd – Prishtinë dhe çështjet tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak dhe me përfaqësuesin special të Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer. Së shpejti vazhdimi i dialogut me Prishtinën dhe besoj në një mundësi për arritje të një zgjidhjeje kompromisi”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.
Palmer gjatë vizitës në Kosovë ka thënë se dialogu Kosovë – Serbi duket të përfundojë me njohje të ndërsjellë. E Lajçak tha se sivjet është viti i mirë për përafrim të Ballkanit Perëndimor me BE-në.
Vuçiq në fillim të javës kishte thënë se SHBA-të dhe fuqitë perëndimore po i kërkojnë Serbisë ta njohë Kosovën në një mënyrë apo tjetrën.