Kryeministri Albin Kurti e ka marrë fjalën në Kuvend për t’u përpjekur që ta arsyetojë angazhimin e anëtarëve partiakë dhe të afërmve të zyrtarëve të LVV-së në institucionet shtetërore.
Gjersa kryeministri ka thënë se të emëruarit janë profesionistë e të përgatitur, deputetët e Kuvendit nisën të qeshnin, ndërsa kreu i Qeverisë vazhdonte të thoshte se me angazhimin e anëtarëve partiakë dhe të afërmve nuk kanë bërë asnjë shkelje.
Kurti tha se ata që u angazhuan në institucione si të afërm, janë të përgatitur e profesional, ndërsa tha se vendimmarrja përmes mbiemrave të farefisit apo punësimi familjar nuk janë vlera të qeverisjes së mirë.
“Kabinetet e ministrive tona kanë persona të përgatitur profesionalisht dhe të gatshëm t’u përgjigjen kërkesave dhe nevojave të qytetarëve. Vendimmarrjes përmes mbiemrave të farefisit apo punësimit familjar, grupor apo partiak, nuk janë vlera të qeverisjes së mirë dhe këto ne nuk i kemi”, tha Kurti.
“Gëzim Tosuni, anëtar në Këshillin Shtetëror të Cilësisë; përzgjedhja e tij ka kaluar në faza të vlerësimit”, shtoi kryeministri.
Kurti tha se Gëzim Tosuni është person adekuar për këtë pozitë.
“Ne kemi bërë emërime politike, jo punësime familjare. Me këtë rast, ministrat i zgjedhin këshilltarët politikë që nuk janë shërbyes civilë. Dhe këta këshilltarë politikë janë ose nga shoqëria civile, ose nga komitetet profesionale të Lëvizjes. Ministri Mehaj ka vendosur që ta zgjedh nga komitetet profesionale të Lëvizjes këshilltarin e tij Rabit Konjufca, i cili akademinë ushtarake e ka kryer para se t’i lind nipi Gluak Konjufca”, tha Kurti.
Me këto emërime, Kurti tha se Qeveria nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore.