Ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha, ka pranuar një fotografi nga një qytetar, i cili pretendon se aty ndodhen personat që u kapën me 400 kg kokainë në Lipjan.
Qytetari që i ka dërguar informacionet-ish kryeministrit, ka thënë se banda e Kavajës është e lidhur me atë të Kosovës.
Postimi i plotë i Sali Berishës:
“Banda e Kavajes e lidhur me Habilin e 600 kg kokaine qe u kapen ne Kosove!. Lexoni mesazhin dhe shikoni foton e qytetarit dixhital. sb
Pershendetje dr.Berisha!
Ne foto shihet qarte miqesia e drejtueseve problematik te qytetit Kavaje me narkotrafikantin ne foto Bledar Habili i akuzuar per sasite e kokaines te kapur ne Kosove.
Ne foto jane narko kryetari problematik i Kavajes Redjan Krali, narko baxhanku problematik i kryetarit bashkise Kavaje Alket Beu , Bledar Habili i cili u akuzua per drogen e kapur ne Kosove. Te lutem Anonim”.
Ndryshe, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka thënë dje se kokaina e sekuestruar ditë më parë në Lipjan, është duke u ruajtur në Policinë e Kosovës.
Lumezi tha se rasti vazhdon të jetë nën hetime dhe se nuk mund të jap më shumë detaje.
“Rasti i 400 kilogramëve të kokainës është në hetime dhe nuk mund të jap detaje, por kjo tregon që ka bashkërendim në luftimin e krimit të organizuar dhe se ekskluzivisht shteti i Kosovës është duke u marrë me këtë çështje. Kokaina qëndron në lokalet e Policisë së Kosovës dhe është e sigurt”, tha Lumezi.
Droga u sekuestruara me 17 maj në komunën e Lipjanit, ku edhe kishte mbërritur prej gati 2 javësh, ndërkaq janë arrestuar 7 persona të cilët ndodhen në paraburgim.
Ajo vinte nga Brazili dhe ishte futur në 20 arka që supozohet të ishin mbushur me mish pule. 400 kg kokainë u ndoqën nga DEA dhe u lanë të kalonin me urdhrin e tyre.