Ana Bërnabiq, kryeministre e Serbisë, ngulmon që vendi i saj i ka përmbushur të gjitha obligimet e marra në Bruksel nga dialogu me Kosovën.
Sipas kryeministres, një prej këtyre obligimeve është gjetja e identifikimi i të vrarëve gjatë luftës.
Sot, 22 vjet pas luftës, ende llogariten mbi 1.600 shqiptarë të zhdukur. Së fundi janë gjetur në Serbi mbetjet mortore e të paktën nëntë shqiptarëve.
Bërnabiq, pas takimit me zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit, Matthew Palmer, të enjten në Beograd, tha se pret që njësoj të veprojë edhe Kosova.
Sipas saj, Prishtina duhet të themelojë Asociacionin e Komunave Serbe, derivat i Marrëveshjes së vitit 2013.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se nuk do të ketë asociacion njëetnik. Shumë prej pikave të marrëveshjes për asociacionin, janë shpallur anti-kushtetuese edhe nga Gjykata Kushtetuese.
Në mes të qershorit, pritet të rinisë në Bruksel dialogu Kosovë – Serbi, me ndërmjetësimin e BE-së dhe përkrahjen e SHBA-së.