Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të K.T., me dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”.
“Prokuroria njofton se me datë të pacaktuar e deri më 02.06 2021, i dyshuari K.T., ka përpiluar dokumente të falsifikuara me qëllim të shfrytëzimit si origjinal, për leje qëndrimi sllovene, për përfitim për vete apo personin tjetër, ku nga të dëmtuarit, B.K., F.K., dhe L.R., kishte marrë shuma të mëdha parash, në vlerë mbi 11.000 (njëmbëdhjetë mijë) euro. Me urdhër të prokurorit të Shtetit pas aksionit të bastisjes së shtëpisë së tij nga Njësiti i Hetimeve, i janë gjetur një leje qëndrimi sllovene dhe një folder me 7 vërtetime të transaksioneve të ndryshme. Me këto elemente, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve””, njofton prokuroria.
Në të njëjtën periudhë kohore, K.T., dyshohet se me anë të paraqitjes së rreme dhe duke i fshehur faktet, ka shfrytëzuar mosdijen e personave të tjerë lidhur me gjendjen reale dhe ka vënë në lajthitje të dëmtuarit, B.K., F.K., dhe L.R., duke i siguruar ata se do t’ju rregullojë dokumentet për lejeqëndrimi në Slloveni. Me këto veprime i dyshuari ka kryer veprën penale “Mashtrimi”.”