Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i ka reaguar kryetarit të komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahirit i cili publikoi një letër ku aludoi se vet Haxhiu kishte refuzuar t’ia kthej pronën në hapësirën e ish-Motel Vicianumit, Komunës së Vushtrrisë. Madje Tahiri tha se Haxhiu po i bën presion përmes telefonit “për t’i zgjidhur problemet që vet ministria i ka krijuar”.
Reagimi i Tahirit erdhi pasi ministrja Haxhiu tha se kompania të cilës ia kishin shkëputur kontratën kishte filluar punimet në atë hapësirë dhe e ftoi kryetarin Tahiri që t’i ndërmarrë veprimet që të mos lejoj punime në atë zonë.
E Haxhiu ka reaguar sërish duke thënë se Tahiri po shpif. Ajo ka thënë se kreu i komunës nuk e ka lejuar inspektoratin të shkojë në vendpunishte me arsyetimin se “ne i kemi dhënë leje kompanisë”.
Për këtë sipas saj, as policia nuk ka mundur të veprojë.
“Shpifjet e Xhafer Tahirit se kinse unë paskam refuzuar që pronën t’ia jap Komunës, shtojnë dyshimet që mosveprimi i tij është i qëllimshëm”, ka shkruar tutje Haxhiu.
Postimi i plotë:
Sot, Xhafer Tahiri, ka refuzuar që të ndërmarrë veprime në mbrojtjen e pronës publike. Policia nuk ka mundur të veprojë sepse z.Tahiri nuk ka lejuar inspektoriatin të shkojë në vendin e ngjarjes me arsyetimin se “ne i kemi dhënë leje kompanisë”, duke injoruar kështu Vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për shkëputje të kontratës i cili është mbi çfarëdo vendimi tjetër të Komunës.
Shpifjet e Xhafer Tahirit se kinse unë paskam refuzuar që pronën t’ia jap Komunës, shtojnë dyshimet që mosveprimi i tij është i qëllimshëm.
Unë nuk kam mundur të ndërmarrë asnjë veprim sepse rasti është duke u trajtuar nga Gjykata.
I bëj thirrje edhe njëherë që të mbrojë pronën publike dhe jo interesin privat!