Gjatë vitit të kaluar në linjën e ankesave, që është pjesë e Divizionit për të Drejtat e Qytetarëve në Kujdesin Shëndetësor pranë Ministrisë së Shëndetësisë, janë pranuar 201 ankesa.
Sipas raportit të publikuar nga MSH-ja nga 201 ankesa sa janë pranuar, në vetëm pesë raste është marrë masë.
Janë shqyrtuar 143 ankesa dhe janë adresuar 58. Ndërsa janë marrë masa në pesë raste, ku në një rast është dhënë vërejtje me gojë, në dy raste është hequr mëditja, në një rast tjetër vërejtje me shkrim e në një rast masë disiplinore.
Sipas raportit më së shumti ankesa ka pasur për mosrespektim të etikës profesionale, gjithsej 75, ndërsa 30 kanë qenë rreth COVID-19, 27 kanë qenë për mungesë të mjekut në punë e 15 kanë qenë për mungesë të produkteve medicinale. E 54 kanë qenë ankesa të ndryshme.
Numri më i madh i ankesave është drejtuar ndaj kujdesit primar.
“Duke marrë parasysh situatën epidemiologjike dhe vështirësitë nëpër të cilat kaloi dhe po kalon sistemi shëndetësor, institucionet shëndetësore gjetën kohë dhe trajtuan ankesat e qytetarëve, duke dëshmuar së pavarësisht vështirësive dhe ngarkesës në punë, pacienti është në qendër të vëmendjes. Numri me i madh i ankesave u drejtuan ndaj kujdesit primar shëndetësor, duke pasur me pas me kujdesin dytësor, institucionet e kujdesit shëndetësor privat dhe kujdesit shëndetësor tretësor. Në trajtimin e ankesave të kujdesit primar u angazhuan udhëheqësit e institucioneve, në rastet kur ankesa ishte e faktuar u morën masa. Ndërsa ankesat e kujdesit dytësor u trajtuan përmes SHSKUK-së dhe në disa raste direkt tek spitalet regjionale. Edhe në kujdesin dytësor janë marrë masa ndëshkuese dhe veprime të tjera të natyrës ndëshkues kur ankesa ka pasur bazë. Ndërsa ankesat ndaj shërbimeve shëndetësore private janë trajtuar nga Inspektorati Shëndetësor dhe Inspektorati Farmaceuetik, por ka pasur raste kur inspektoratet kanë trajtuar edhe ankesa që janë drejtuar ndaj shërbimeve shëndetësore publike”, thuhet në raport.