Në gjithë vendin gjatë së dielës janë vaksinuar rreth 800 persona në të gjitha qendrat e vaksinimit kundër virusit COVID-19.
Në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë vaksinën e kanë marrë 100 persona mbi moshën 65 vjeçare, ka thënë koordinatori i kësaj qendre Niman Bardhi.
“100 persona janë vaksinuar në sallën ‘1 Tetori’ sot, ndërsa në nivel vendi rreth 800 persona kanë marrë vaksinën antiCOVID. Ndërsa mbi 64.800 janë vaksinuar që nga fillimi i pandemisë”, ka thënë Bardhi.
Tutje, ai tha se interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar gjatë fundjavës ka qenë në rënie.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi të enjten se në Kosovë kanë arritur 100.620 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech.
Këtë kontingjent të vaksinave, Kosova e ka siguruar përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.
Dy javë më parë, Kosova po ashtu ka pranuar 38.400 doza të vaksinës nga COVAX-i si dhe 15.000 doza të tjera, donacion nga Bashkimi Evropian.
Në Kosovë, procesi i vaksinimit kundër COVID-19 ka nisur në fund të marsit, pas pranimit të 24.000 dozave të vaksinës së kompanisë AstraZeneca nëpërmjet mekanizimit COVAX.
Fillimisht janë vaksinuar punëtorët shëndetësorë, personat mbi 80 vjeç dhe ata me sëmundje kronike. Aktualisht po vazhdon faza e dytë e procesit të imunizimit, ku janë duke u vaksinuar grupmosha 65-79 vjeç.
Autoritetet në Kosovë kanë thënë se kanë për synim që deri në fund të vitit të vaksinojnë 60 për qind të popullatës.