Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell i ka dërguar raport Këshillit të BE-së për darkën joformale të liderëve të Ballkanit Perëndimor, ku mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti. Demokracia.com e ka siguruar dokumentin e plotë si dhe të gjitha pikat që përmenden në raport.
Një prej pikave në raport flet për bashkëpunimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me Gjykatën Speciale.
Raporti të cilin e posedon të plotë Demokracia.com, thekson se blloku e vlerëson shumë bashkëpunimin konstruktiv të Kurtit me Dhomat e Specializuara.
Veç kësaj, përmendet se Kurti ka shprehur gatishmërinë për ta mbështetur zgjatjen e mandatit të misionit të EULEX-it në Kosovë.
“Angazhimi serioz i z. Kurti për të vazhduar bashkëpunimin në mënyrë konstruktive me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit Special do të vlerësohet shumë brenda BE-së. Gatishmëria e tij për të mbështetur zgjatjen e mandatit të EULEX-it është e mirëseardhur dhe hap i rëndësishëm që do të ndihmojë Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit Special për të përmbushur mandatin e tyre në Kosovë”, thuhet në raportin e BE-së.