Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka thënë se kryeministri i vendit Albin Kurti është i burgosuri i vetëm i Serbisë që është falur me vendim të presidentit të këtij shteti.
“Kryeministri Kurti nuk është fajtor për përvojën e tij, nuk mban përgjegjësi pse është zënë rob dhe është mbajtur nga Serbia. Por nëse gjatë punës dhe veprave të tij shoh pozitë që sulmon themelet e të arriturave tona të Kosovës, menjëherë më kujtohet koha kur ky ka qenë në duar të tyre dhe fakti se për dallim të Ukshin Hotin nuk e dimë ku është, për Albin Kurtin ka një vendim të faljes së presidentit të Serbisë. Për falje nuk ka asnjë vendim tjetër, vetëm për Albin Kurtin nga Vjosllav Koshtunica. S’po them që kjo është dëshmia, sepse Serbia ka mundur ta falë për propagandë apo arsye të caktuara”.
Haradinaj në Rubikon ka thënë se deklaratat e Kurtit në Bruksel ku tha se vendet e Ballkanit duhet të çlirohen nga kriminelët e luftës, ishin barazim i shtetit të Kosovës me Serbinë.
“Nuk po them që është dëshmi e mjaftueshme, por kur e sheh kryeministrin tënd që i flet audiencës së BE-së dhe thotë vendet e Ballkanit duhet të çlirohen nga kriminelët e luftës që janë në institucione dhe udhëheqin parti politike dhe nuk di ta veçojë, ta dallojë vendin e vet, por thotë vendet e Ballkanit. Lind pyetja se çfarë është kjo agjendë? Kjo është agjenda e barazimit të asaj që ka ndodhur në Ballkan dhe që po e kërkojnë Moska dhe Boegradi. Është e habitshme që kryeministri të mos e dijë se kjo është një barazim, një ekuivalencë me Serbinë. Kjo nuk është e rastësishme”.
Haradinaj tha se ata që nuk e shpjegojnë kontekstin e luftës në Kosovë janë budallenj.
“Amerikanët për të treguar pse ka hyrë konflikti në Kosovë janë detyruar të shpjegojnë që ka pasë edhe një palë luftarake në Kosovë. Ata nuk mund të thonë kemi ndërhyrë në Kosovë pa e shpjeguar kontekstin. Kemi ndërhyrë në Kosovë sepse ka ndodhë një luftë në mes të Jugosllavisë, regjimit të Millosheviqit dhe një ushtrie çlirimtare të atij vendi e cila ka qenë në pozita të vështira për ta kryer misionin e saj – për ta mbrojtur. Gjatë kësaj periudhe Millosheviqi ka kryer masakra e gjenocid mbi shqiptarë dhe gjatë kësaj kohe për me u ndalë lufta janë detyruar të bombardojnë.
Kush nuk e shpjegon këtë është budallë, është duke i bërë sherr vetit. Nuk je më i mirë tek europianët nëse duhet me të ardhë marre të tregosh të kaluarën”.