Gjykata Themelore në Ferizaj ka shqiptuar aktgjykim dënues prej një muaji burgim për të akuzuarin për keqpërdorim të detyrës zyrtare,
T.S akuzohet se përderisa ishte në cilësinë e inspektorit të ndërtimit në Komunën e Shtimes, nuk kishte ndërmarrë obligimet ligjore për t’i ndaluar ndërtimet e dy shtëpive pa leje, por duke marrë shumën prej 1 mijë e 80 eurosh nga pronari H.Sh, kishte lejuar ndërtimin e tyre.
“I pandehuri akuzohet se në muajin shtator 2017 dhe në prill të vitit 2018, në Shtime si person zyrtar – inspektor i ndërtimit në Komunën e Shtimes, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare në pajtim me Ligjin Mbi Ndërtimin nr 04/L-110, dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, në atë mënyrë që nuk ka ndërmarr veprimet ligjore për ta ndaluar ndërtimin pa leje ndërtimore të dy shtëpive në Shtime, të pronarit H.Sh., ashtu që me rastin e inspektimit të punimeve ndërtimore në muajin shtator 2017, nuk ka hartuar procesverbal për të urdhëruar ndërprerjen e punimeve, por ka bërë marrëveshje me pronarin që t’ia kryej projektin e ndërtimit të shtëpisë për çmimin prej 500 euro, i cili ka vazhduar me ndërtimin e shtëpisë, kurse në muajin prill të vitit 2018, përsëri ka bërë marrëveshje për projektin e shtëpisë së dytë për çmimin prej 580 euro, në të dyja rastet nga i dëmtuari merr paratë dhe përfiton kështu shumën prej 1.080 euro në emër të projekteve ndërtimore për dy shtëpitë, me qëllim që të mos veproj në pajtim me detyrat zyrtare, kështu që i dëmtuari ka ndërtuar shtëpitë pa leje ndërtimore”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.